NGA: XHENSILA KODRA
Hasan Lila, nipi i Kasem Lilës, i cili u arrestua 6 ditë më parë, pasi vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij dhe plagosi kunatën, tregon për “Gazeta Shqiptare” shqetësimet që xhaxhai i tij ka pasur që nga momenti që i kanë hequr KEMP-in. Gjatë intervistës, 27-vjeçari shprehet se ata jetonin në të njëjtën banesë dhe se nuk kanë pasur asnjëherë konflikte me njëri-tjetrin. “Ai kishte vetëm pjesën psikologjike të heqjes së KEMP-it, sepse pjesa ekonomike nuk i ka munguar asnjëherë nga ne”, tregon Hasani. Gjithashtu, ai shprehet se xhaxhai i tij ka qenë i pavetë-dijshëm për krimin që ka kryer dhe për shkak të sëmundjes që ka, ai duhet të jetë i lirë që të mjekohet. 56-vjeçari u arrestua mbrëmjen e së shtunës, pasi qëlloi për vdekje gruan e tij, Afize Lila dhe plagosi nusen e të vëllait, Zyra Lilën. Ngjarja u shënua në periferi të Tiranës, në Ndroq, ndërsa gjatë dëshmisë që Kasem Lila ka dhënë në polici ka shfaqur pendesë për krimin e ndodhur. Në gjykatë ai ishte i pavetëdijshëm për atë çfarë kishte ndodhur.

Si ndodhi ngjarja më datë 22, ku xhaxhai juaj, Kasem Lila vrau bashkëshorten e tij dhe u plagos nëna juaj? Ju ishit i pranishëm në banesë?
Jo, në ato momente nuk kam qenë në banesë. Unë sapo kisha dalë nga shtëpia. Vetëm kur më morën të telefon dhe më thanë se çfarë ndodhi. Kam ardhur menjëherë në shtëpi, kam marrë mamin në makinë dhe e kam çuar në spital. Pastaj di që në shtëpi kishte ardhur policia.

Kush ndodhej në banesë?
Kanë qenë të gjithë në shtëpi. Ka qenë edhe halla ime. Më vonë ajo ka dalë deri në qendër që të ikte, aty ka ndodhur ngjarja në shtëpi. Atëherë më lajmëruan edhe mua.

Keni dijeni se përse ndodhi? Ke biseduar më familjarët e tu?
Nuk di çfarë të të them në këtë rast, sepse as ne vetë nuk dimë t’i japim një përgjigje kësaj pyetjeje. As ne vetë nuk e dimë se si ndodhi.

Ka shfaqur shenja nervozizmi më parë?
Pasi i hoqën KEMP-in po. Na thoshte se përderisa ma hoqën KEMP-in, do të thotë që unë nuk kam më nevojë për ilaçe. Që në ato momente mendonte se ishte i shëruar dhe nuk kishte më nevojë që të kurohej dhe filloi të mos i pinte më ilaçet.

Sa kohë kishte që nuk i pinte?
Nuk e di fiks se sa, por që pas heqjes së KEMP-it, mezi i pinte. Herë po e herë jo. Edhe kur e pyesnim nëse e kishte marrë mjekimin, në disa raste na thoshte “po”, por në të vërtetë ishte e kundërta. Madje, kohët e fundit i morëm edhe mjekimin që ia hidhnim në ushqim që ai të mos e kuptonte. Kemi kërkuar që të bisedonte edhe me një psikologe, por ai nuk pranonte, sepse mendonte dhe thoshte se “jam mirë”.

Sa kohë kishte që ia kishin hequr KEMP-in xhaxhait tuaj?
Ka gati 3 muaj. Dhe para ca ditësh do të dilte sërish në komision që t’i rikthehej.

Po gjatë kësaj kohe i ka blerë ilaçet që i nevojiteshin?
Po, ia kemi blerë ne, sepse xhaxhai nuk kishte asnjë lloj të ardhure. Atij nuk i ka munguar asnjë lloj gjëje nga ne.

Po konflikte në familje ka pasur mes xhaxhait tuaj dhe bashkëshortes së tij?
Jo, nuk kanë pasur asnjëherë konflikte. Shkonin shumë mirë. Filloi të shfaqte probleme vetëm kur i hoqën KEMP-in. Ai kishte vetëm pjesën psikologjike të heqjes së KEMP-it, sepse pjesa ekonomike nuk i ka munguar asnjëherë nga ne.

Me kë jetonte xhaxhai juaj?
Jetonte me ne. Jetonim të gjithë në një shtëpi. Ndërsa djali i xhaxhait jeton në Itali. E ka marrë vëllai im për të vazhduar shkollën andej.

Ku ka punuar më parë xhaxhai juaj?
Ka punuar si shofer.

Xhaxhai juaj u la nga gjykata në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Keni ndonjë reagim për këtë fakt?
Nuk di se çfarë të them për këtë pjesë. Edhe pse ai kreu një krim pa qenë i vetëdijshëm për atë që bëri, xhaxhai im duhet të marrë mjekimet e nevojshme. Ai duhet të jetë i lirë. Edhe doktorët i kanë thënë se që nga momenti që ai u bë operacion nga koka, që para 15 vitesh, ai duhet të vazhdojë të marrë mjekim.

E plagosur mbeti edhe nëna juaj. Si është gjendja e saj aktualisht?
Është më mirë dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Ku e ka marrë plagën?
Në anën e majtë poshtë shpatullës, nga krahu i mushkërisë.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: