Ka nisur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit“ kursi i radhës për video-analistë futbolli, i organizuar nga FSHF. Edhe këtë sezon interesi ka qenë i lartë dhe të gjithë kursantët kanë mundësi të marrin leksione nga përgjegjësi i video-analizës në FSHF, Alarico Rossi, por edhe nga video-analistët e ekipeve Kombëtare të moshave, Endi Çuçi, Xhoen Tugu, Klajdi Kenga dhe Martin Lulgjuraj.

Ky edicion, i gjashtë në vendin tonë që organizohet nga FSHF vjen me disa risi, pasi pjesë e kursit janë edhe video-analistët që punojnë në klubet e kampionatit “Abissnet Superiore”, të cilët do të shkëmbejnë me kursantët eksperiencën e tyre dhe do të tregojnë se si teknologjia është një element thelbësor në futbollin modern.

Gjithashtu kursantët do të marrin leksione edhe nga Erjon Meta, Përgjegjësi i Sektorit të Portierëve në FSHF dhe Iris Selimi, Përfaqësuesi i Sektorit të Përgatitjes Atletike, të cilët do të ndajnë me kursantët rëndësinë e punës në grup.

Ky edicion i kursit është i ndarë në dy periudha dhe në fund të gjithë kursantët do të kenë mundësi të marrin leksione se si të mbledhin, përpunojnë dhe analizojnë informacione, për t’ia përcjellë më tej stafit dhe për të arritur suksese me skuadrat përkatëse.

Profesion i video-analistit sa vjen e po bëhet gjithnjë e më i kërkuar në stafin teknik të çdo skuadre, duke marrë parasysh zhvillimin e madh të teknologjisë dhe rëndësinë që ka marrë analiza e statistikave të çdo skuadre para ndeshjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb