*Ekonomi për “News24”: Shqipëria pjesë aktive e aksionit të përbashkët në rajon
*Hahn: Dalja e ndonjë vendi nga BE s’do të thotë ndalesë e integrimit

PARIS- Ka nisur sot në Paris konferenca e tretë për Ballkanin Perëndimor pas takimit të Berlinit dhe Vjenës. Liderë politikë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi janë takuar me krerët e BE, Gjermanisë, Francës, Austrisë dhe vendeve të tjera.

Në takim merr pjesë edhe shefi i qeverisë, Edi Rama, dhe ministrja Milva Ekonomi.

Ministrja Ekonomi në fjalën e saj tha se Procesi Berlinit po prodhon rezultatet e para.

“Forumi i Parisit është një mundësi e shkëlqyer për të ndarë sukseset dhe sfidat. Shqipëria ka shënuar progres në bashkëpunimin rajonal për infrastrukturën, energjetikën dhe tregtinë. Përurimi linjës 400KV me Kosovën është shembulli më i mirë i ndërlidhjes në rajon. Shqipëria mbetet e vendosur në këtë proces, pasi ky është një shans i vendeve të Ballkanit Perëndimor për zhvillim dhe për të performuar më mirë. Është detyrë e vendeve të rajonit për një rol proaktiv dhe udhëheqës për lehtësimin e tregtisë dhe ndërlidhjes”, tha ministrja Ekonomi.

Duke përshëndetur çeljen e punimeve të forumit, eurokomisioneri Johannes Hahn tha se dalja e ndonjë vendi nga BE nuk do të thotë ndalesë e integrimit. Sipas tij, ndërlidhja e rajonit me rëndësi për zhvillimin e tregtisë.

Qëllimi i samitit që vjen vetëm pak ditë pas referendumit të Britanisë për dalje nga BE është afrimi i vendeve të Ballkanit me unionin.

Gjatë punimeve të samitit do të bëhet vlerësimi i progresit të arritur projektet e deritanishme si dhe priten të ndërmerren nisma për projekte të reja në mbështetje të vendeve Ballkanike. Ndër temat e samitit do të jenë edhe avancimi i bashkëpunimit mes shteteve në Rajon, fuqizimi i ekonomisë dhe bashkëpunimi ndërmjet të rinjve.

EKONOMI PER “NEWS24”: SHQIPERIA PJESE AKTIVE E AKSIONIT TE PERBASHKET NE RAJON
Në një lidhje telefonike për “News24”, ministrja Milva Ekonomi ka folur lidhur me diskutimet në Forumin e Parisit.

“U diskutua për disa çështje me rëndësi, jo vetëm për vazhdimësinë e procesit të Berlinit, por edhe për reflektime për çështje të caktuara. U tha se Ballkani Perëndimor ia doli që të vijojë me reformat strukturore. Konsolidimi është një situatë pozitive për të gjitha vendet e rajonit. BP është një rajon që ka më shumë mundësi për iniciativa zhvillimi. Parashikohen investime në fushën e energjisë dhe të transportit. Synohet të veprohet me projekte të besueshme, për të mundur të merren kredi nga bankat europiane. Rëndësi i duhet kushtuar edhe shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së eksportit. U fol për heqjen e barrierave në kufi, dhe marrjen e iniciativave lehtësuese.

Ky forum ka treguar se Shqipëria e ka të rëndësishme që të punojë në rajon, dhe të jetë pjesë aktive e aksionit të përbashkët në rajon. Kjo e bën Shqipërinë të jetë pjesëmarrëse ne disa projekte që zhvillojnë korridoret rrugore, dhe të tjera të transportit, për të garantuar ekonomi të qëndrueshme.
Unë fola për angazhimin që ka marrë Shqipëria në këtë kohë për të punuar për zhvillimin e rajonit”, tha ministrja Ekonomi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: