Gjykata e Posaçme firmosi ta shtyjë për në datën 15 shtator procesin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe disa të pandehurve të tjerë. Shkak u bë mungesa e Veliajt dhe avokatit të tij Plarent Ndreca, si dhe e të pandehurës Xoxa, e cila këmbëngul se për shkak të lindjes së fëmijës është me raport mjekësor dhe në pamundësi për të marrë pjesë në seancë, që të bëjë mbrojtjen.

Në nisje të seancës, trupa gjykuese relatoi se i pandehuri Veliaj kishte shprehur vullnetin të mos ishte i pranishëm në seancë, por të mbrohej nga avokati Plarent Ndreca.

Në sallën e gjyqit u vu re mungesa e Ndrecës, i cili përmes një shkrese kërkonte shtyrjen e seancës, duke argumentuar se ndodhej në një proces civil në të njëjtën orë dhe ishte në pamundësi për t’u paraqitur.

Avokati Gurali Brahimllari, që mbron Ajola Xoxën, tha se e mbrojtura prej tij është në pamundësi të jetë e pranishme në seancë, që të realizojë mbrojtjen efektive, për shkak se është me raport mjekësor.

SPAK kërkoi që, duke qenë se avokati i Veliajt po bëhet pengesë për procesin, t’i caktojë kryebashkiakut një mbrojtës kryesisht. Ndërsa lidhur me pretendimet e të pandehurës Xoxa, prokurori i posaçëm Ols Dado u shpreh se gjykata është shprehur njëherë.

Gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit dhe, pas disa minutash, shpalli verdiktin e ndërmjetëm, duke rrëzuar pretendimet e Ajola Xoxës, për të cilën vendosi ta vijojë procesin në mungesë të saj.

“Raporti mjekësor nuk tregon pamundësinë për të marrë pjesë në proces”, theksoi gjykata.

Ndërsa gjobiti avokatin e Veliajt, Plarent Ndreca, dhe pezulloi afatet e paraburgimit për kryebashkiakun.

Me qëllim që procesi të mos zvarritet në të ardhmen, GJKKO caktoi Valentina Teodoreskun si avokate kryesisht për të pandehurin Veliaj.

Kryebashkiaku dhe bashkëshortja e tij akuzohen për përfshirje në një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash. Veliaj mbahet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb