Ministria e Kulturës po i kushton një vëmendje të veçantë rijetëzimit dhe mbrojtjes së monumenteve të kulturës si pjesë e vyer e trashëgimisë tonë kulturore.
Një tjetër monument kulture që i është nënshtruar restaurimit është Ura e Shën Prodhomit në Voskopojë.
Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro gjatë një inspektimi në urën 300-vjeçare, monument kulture i kategorisë së parë .
Ura me harqe vlerësohet e rrallë për sa i përket anës arkitektonike. Ajo është një prej urave më të vjetra në vend.
Gjatë inspektimeve për tu njohur më nga afër me problematikat në këtë urë ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo dhe deputeti Ilir Pendavinji.
“Fillojmë restaurimin e Urës së Shën Prodhomit, ndërsa do të ndërtojmë paralelisht një urë të qëndrueshme që do të shërbejë për transportin e mjeteve të tonazhit të rëndë”- deklaroi nga Voskopoja ministrja Kumbaro.
Dëmtimet në këtë urë 300-vjeçare kanë ardhur si pasojë e shfrytëzimit për kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Pas alarmit të dhënë nga DRKK Korçë,
Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria e Kulturës ndërmorën masa urgjente për bllokimin e saj për mjetet e transportit të rëndë.