Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme plenare për zgjedhjen e presidentit të ri, por procesi është shoqëruar me bojkot nga partitë opozitare.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi para mediave se LDK nuk do të marrë pjesë në seancë, duke e cilësuar atë si “shfaqje propagandistike të Vetëvendosjes”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u shpreh se çështja e presidentit është e mbyllur dhe ftesa për pjesëmarrje në këtë proces nuk është serioze.

“Është një veprim joserioz. Ka për qëllim manipulimin, një veprim që nuk prodhon rezultat. Vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe përgjegjës është Albin Kurti,” deklaroi Hamza.

I pyetur për qëndrimin ndaj një kandidature të mundshme nga familja Jashari, Hamza tha se PDK nuk ka ndryshuar qëndrim për ndonjë emër të tillë. Sa i përket ish-presidentes Vjosa Osmani, ai nuk shprehu mbështetje të drejtpërdrejtë, por theksoi se një kandidaturë e saj mund të sigurojë vota nga disa grupe parlamentare.

“Emra nuk kemi thënë që duhet të jenë nga PDK-ja. Nëse LDK e sjell Vjosa Osmanin si kandidate, ajo mund të zgjidhet me votat e Vetëvendosjes dhe LDK-së, ndoshta edhe të deputetëve të tjerë,” shtoi Hamza.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se seanca është vazhdim i një “spektakli publik” që, sipas tij, po e çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“AAK nuk ka qenë e ftuar për diskutime dhe nuk marrim pjesë në një proces që është më shumë performancë publike sesa debat serioz. Kuvendi po përdoret si platformë për diskutime të brendshme partiake,” u shpreh Tahiri.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja e presidentit duhet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar deri nesër, përndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb