Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, nuk do ta dekretojë Ravesa Lleshin, kandidaten e propozuar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, si ambasadore në OSBE. Burime të gazetës “Panorama” pranë Presidencës, bënë të ditur se argumenti që do të përdorë Bujar Nishani për të rrëzuar propozimin e Bushatit do të jetë fakti se ajo nuk përmbush standardet profesionale për t’u emëruar në nivel ambasadori në një organizatë si OSBE-­ja.

Ravesa Lleshi aktualisht mban postin e Këshilltares së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ajo nuk vjen nga radhët e diplomatëve të karrierës dhe për këtë arsye pritet të refuzohet nga Presidenti. “Presidenti nuk do ta dekretojë kandidaturën për Ambasador në OSBE, pasi nuk përmbush standardin profesional për të qenë në nivelin e ambasadorit”, bënë të ditur burime pranë Presidencës.

PREZANTIMI
Gjatë prezantimit të kandidaturës, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, tha se Ravesa Lleshi vjen nga jashtë shërbimit diplomatik dhe nuk ka grada.

“Jeta e Ravesës i është përkushtuar të drejtës ndërkombëtare. Prej dy vjetësh është kolege dhe këshilltare në kabinetin e ministrit Bushati. Ka të gjitha vlerat njerëzore dhe profesionale për të kryer detyrat e këtij niveli. Shpreh bindjen se do ta plotësojë më së miri këtë detyrë, nëse ju dhe Presidenti do ta miratojnë. Ravesa nuk vjen nga karriera diplomatike. I referohet nenit përkatës, që thotë se duhet të ketë një aktivitet të paktën prej 10 vjetësh në marrëdhëniet me jashtë, nga të cilat 3 vjet në pozicione drejtuese, të cilat Ravesa i ka plotësuar”, tha dje Qirjako Qirko. Ravesa Lleshi është vajza e Ismail Lleshit, ishfunksionar i lartë i PPSH­së në kohën e regjimit komunist, koleg me Sulejman Bushatin, babain e ministrit aktual të Jashtëm.

PËRPLASJA
Këshilltarja e ministrit të Jashtëm, Ravesa Lleshi, është propozuar fillimisht nga Bushati në muajin shkurt të 2015­s, për të zëvendësuar ambasadorin e asaj kohe në detyrë, Spiro Koçin. Por asokohe kreu i shtetit e ka refuzuar këshilltaren e Bushatit, duke thënë se nuk mund të zëvendësohej një ambasador karriere me persona që janë jashtë sistemit diplomatik. Por pas ndryshimit të projektligjit të shërbimit diplomatik dhe heqjen e kufirit të emërimeve nga jashtë karrierës diplomatike, emri i këshilltares së Bushatit është dërguar sërish për dekret te Presidenti. Kësaj radhe edhe për shkak të dorëheqjes së ambasadorit Spiro Koçi. Ky i fundit u kthye në atdhe pa pritur urdhrin e Presidentit, për shkak se Ministria e Jashtme i ka ndërprerë marrëdhëniet financiare. Ambasadorit në detyrë iu ndalua paga dhe nuk iu pagua qiraja e banesës në Vjenë, çka e detyroi atë të kthehej në Shqipëri. Fation Binjaku/Panorama

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb