DIBER- Reshjet e dendura të shiut një ditë më parë, kanë shkaktuar sërish përmbytje të shoqëruara me dëme të mëdha në zona të ndryshme të vendit. Moti i keq ka lënë pas edhe 3 viktima, 1 në Dibër, 1 në Shëngjin dhe një në Elbasan.

Ndërsa një elektricist në Kukës ka rrezikuar jetën teksa ka qenë duke riparuar një defekt të shkaktuar nga furtuna. Mexhit Muja ka qenë duke riparuar një avari në një shtyllë elektrike, ndërsa ka rënë prej saj duke pësuar dëmtime serioze.

I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore, dhe fatmirësisht, ndodhet tashmë jashtë rrezikut për jetën.

Prej dy ditësh shumë zona në qarkun e Kukësit vijojnë të jenë pa energji elektrike, për shkak të motit të keq që ka përfshirë mbarë vendin.

Shirat e një dite më parë kanë shkaktuar edhe dëme në të mbjella dhe bagëti.

NISIN RESHJET E PARA TE DEBORES NE DIBER E KUKES
Pas një dite me reshje të dendura shiu e stuhi, kanë nisur mëngjesin e sotëm reshjet e para të dëborës në qarkun e Dibrës dhe Kukësit.

Në orët e para të mëngjesit reshjet e dëborës u shënuan fillimisht në zonat mbi 800 metër mbi nivelin e detit, ndërkohë që në orët e pasdites ato janë shtrirë edhe në zona të tjera malore.

Ulja e ndjeshme e temperaturave dhe reshjet e dendura të një dite më parë kanë bërë që lumi Ishëm të dalë nga shtrati gjatë orëve të natës, e si pasojë janë përmbytur 200 ha tokë.

Përmbytje janë shkaktuar edhe në fshatrat e Krujës, si Mallkuq, Murqine, Bilaj; ku 18 banesa rrezikohen nga uji.

Banorët shprehen të shqetësuar pasi uji ka hyrë në banesat e tyre.

“Jemi bllokuar dhe izoluar nga uji. Deri më tani nuk është bërë asnjë ndërhyrje”, thonë banorët.
Ndërkaq, në Durrës situata është përmirësuar, dhe nuk paraqiten problemeve.

Në qarkun e Kukësit, kanë filluar reshjet e dëborës në zonat malore mbi 1 mijë metër , por nuk ka probleme në akset rrugore.

Katër shkolla në Dibër kanë pezulluar mësimin, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e të riut, i cili dyshohet të jetë mbytur teksa punonte në kanalet e një HEC-i privat.

PREFEKTI I DURRËSIT: SITUATË E VËSHTIRË NË KRUJË, DISA HEKTARË TOKË NËN UJË
Prefekti i Durrësit, Roland Xhelili, duke folur për “News 24” tha se situata paraqitet e vështirë për shkak të daljes nga shtrati të lumit Ishëm, duke përmbytur një sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit është përmbytur edhe një shtëpi.

Xhelili tha se në Bubq ditën e djeshme u përmbytën rreth 400 hektarë tokë, por sot uji është tërhequr.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: