TIRANË- Komisioni parlamentar i Ligjeve rrëzoi të mërkurën dy projektligje, të inicuara nga deputetët Eduard Shalsi, Genc Ruli dhe Robert Bitri, që lidhen me pavarësinë financiare dhe organizative të Entit Rregullator të Energjisë (ERE).

Dy nismat, që parashikojnë ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil” dhe në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese”, synojnë përjashtimin e stafit të ERE-s nga zbatimi i disa dispozitave ligjore që zbatohen për nëpunësit e administratës, si dhe pavarësi në përcaktimin e pagave dhe të strukturës. Këto propozime, sipas deputetëve nismëtarë, bazohen në rekomandimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë që sugjerojnë një pavarësi organizative dhe financiare për ERE-n.

Në parashtrimin e argumenteve për dy draftet e paraqitura, kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj, ndërsa propozoi rrëzimin e tyre, sugjeroi adresimin e kësaj problematike te Byroja e Kuvendit. Ai u shpreh për ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të bëjë dhe rregullimin e plotë të kuadrit ligjor përsa i përket institucioneve të pavarura.

“Na duhet një zgjidhe e harmonizuar me të gjitha institucionet dhe jo vetëm për ERE-n, për t’i vendosur të gjitha në të njëjtin standard, mbi bazën e një analize konkrete. Në favor të kësaj ideje është dhe qeveria. I është kërkuar Ministrit të Financave dhe Ministres së Administratës Publike një opinion, dhe janë shprehur kundër dy iniciativave. Na duhet një studim më i plotë lidhur me institucionet e pavarura që janë nën varësinë dhe kontrollin institucional të parlamentit. Kjo do të kërkojë që t’i drejtohemi si komision Byrosë së Kuvendit, për të realizuar një studim dhe për të mbajtur një qëndrim për të gjitha këto institucione lidhur me strukturat e tyre, hierarkinë e pagave dhe me statusin e punonjësve të tyre për këto tre elemente”, argumentoi kryetari Xhafaj, duke u shprehur për rrëzimin e tyre.

Të dy propozimet e kryetarit të komisionit morën mbështetjen unanime të të gjithë deputetëve, të cilët i rrëzuan me votë dy nismat e propozuara.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb