URA VAJGURORE 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin, ndërsa tha se dështimi më i madh i tij është sektori i bujqësisë. Në takim me qytetarët dhe fermerët e Urës Vajgurore, Lulzim Basha tha se Partia Demokratike do ta ketë në plan të parë sektorin e bujqësisë, dhe kjo shtoi ai nuk do të bëhet thjesht me fjalë, por me veprime konkrete përmes mbështetjes së fermerit me subvencione të drejtpërdrejta.

“Dëmin më të madh ky kryeministër dhe kjo qeveri ia kanë bërë bujqësisë duke i braktisur në mënyrë ceremoniale financimet për këtë sektor. Bujqësia është në kolaps, fermerët janë në prag të falimentit. Prodhimet tona në vend që furnizojnë tregun me prodhime cilësore, të dalë nga toka jonë, ato kalben, sepse nuk arrijnë në treg dhe tek konsumatori. Edhe kur dalin në treg, ata nuk konkurrojnë  me ata të huaja. Rimëkëmbja e fshatit dhe bujqësisë është zemra e programit tonë. Subvencioni është në zemër të çdo politike që nxit zhvillimin rural në Evropë, Amerikë, Australi dhe në vendet më pak të zhvilluara në rajon. Për ne bujqësia është prioritet kombëtar. Mos të dorëzoheni, kanë qenë vite të vështira jo prej Zotit e moti, por prej qeverisë.  Një ditë më e mirë po vjen për ju dhe për familjet tuaja. Do kemi plan dhe masa konkrete që çdo kokërr djerse e fermerit shqiptar të mos përfundoj në kanal, por të kthehet në kreditim dhe punësim për fëmijët tuaj.Ne kemi një plan që nuk e kemi shpikur por që janë modele që kanë dhënë rezultat. Me standardet që përdor Europa t’ju vendosim në të njëjtat pozita me fermerët e rajonit.

1.Ndryshimet e TVSH-së do të marrin fund. Terrori për të pajisur fermerin me NIPT do të marrë fund. Fermeri do të indentifikohet me nr personal të indentifikimit.

2.Çdo vit do të ndajmë 100 milionë euro në buxhet vetëm për t’ju subvencionuar dhe që nuk do të kalojë nëpërmjet grumbulluesve por drejtpërdrejt tek fermeri në bazë të prodhimit. Subvencionim fiks për çdo tonelatë prodhim. Ky subvencion do të paguhet drejtpërdrejt tek fermeri pa asnjë kufizim. Nëse certifikohet prodhimi, do të marrësh drejtpërdrejt subvencion.

3.Në paketën tonë për arsimin e lartë do të zerohen tarifat për bachelor dhe master,  bursë mbështetëse për fëmijët tuaj të cilët duan të marrin aftësi profesionale në sektorët që i shërbejnë zhvillimit rural.

4.Aksesi i prodhimeve tuaja në treg do të jetë i garantuar. Nuk do të ketë më barriera, monopole dhe trarë të fshehur që çojnë në kalbjen e produkteve. Fermeri shqiptar nën qeverisjen time nuk do të ketë asnjë pengesë për ta çuar prodhimin në treg dhe për ta shitur e marrë fitimin që i takon.

5.Në infrastrukturë, siç do të rezervojmë 100 milionë euro për subvencionet, do të rezervojmë 50 milionë euro çdo vit. Ky do të jetë minimumi. 50 milionë euro infrastrukturës në shërbim të bujqësisë, duke filluar nga rrugët kryesore, në sera dhe ara, në vaditje, kanalizimet, mbështetja me energji elektrike, mbështetje me impiantet e përpunimit bujqësor, çdo vit 50 milionë euro infrastrukturës ndihmëse.”-tha Basha.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb