TIRANË

Teksa ka prezantuar ministrin e ri të Brendshëm, Bledi Çuçi, kryeministri Edi Rama u ndal dhe te marrëdhënia që ka me ish-ministrin Sandër Lleshaj, i cili dha dorëheqjen pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia.

Rama tha se puna me Sandër Lleshajn i ka dhënë kënaqësi, si në kohën kur ai ishte këshilltar, ashtu edhe kur ishte ministër i Brendshëm.

Kryeministri theksoi se me Sandrin ka pasur dakordësi të vazhdueshme për të mos qenë dakord, duke pasuruar kështu njëri-tjetrin, ndërsa shtoi se një ditë ish-ministri do të dëshmojë për raportet mes tyre.

“Puna me Sandrin më ka dhënë kënaqësi, edhe në rolin e këshilltarit edhe në atë të ministrit, pasi kemi pasur dakordësi të vazhdueshme për të mos qenë gjithmonë dakord. Kemi vazhduar të ndërveprojmë dhe të krijojmë dakordësi, duke pasuruar njëri-tjetrin. Sandri besoj se një ditë do ta dëshmojë, e ka dhe me fakte, që unë ndryshe nga c’dukem, tërhiqem më shpesh se tjerët, kur është fjala për argumentet e punës. Nga ana tjetër, është Bledi Çuçi, që e njeh këtë godinë, sepse ka punuar me pushtetin vendor për shumë kohë, ka qenë pjesë e strukturës së ministrisë së pushtetit vendor, që ishte ministria binjake e Ministrisë së Brendshme.

Përtej faktit të një eksperience të gjerë, ministri i ri ka sot edhe më shumë eksperiencë në drejtim, ka qenë ministër i Shtetit për Antikorrupsionin, ministër Bujqësie, kështu që e ka të qartë shumë se punët e brendshme nuk janë vetëm rend, në aspektin e qetësisë dhe luftës me krimin, por janë shumë më tepër se kaq. Ato punë të filluara bukur nga Sandri do të çohen përpara. Me ardhjen e ministrit të ri krijohen premisat që puna të vazhdojë, ritmi të rritet, që ndarja e punëve mes Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të shkojë duke u konsoliduar deri në fund. Ministri i Brendshëm të konsolidojë atë profil, që nisi Sandri, si drejtues i punëve të brendshme dhe jo si drejtues policie”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb