Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, zhvilloi këtë pasdite një takim me gratë në Kurbin, ku prezantoi dhe kandidaten e partisë së saj në këtë zonë për zgjedhjet e 25 prillit.

LSI do të përfaqësohet në Kurbin nga Ertila Gjini Nikolla, e cila, sipas Kryemadhit, ka forcën dhe profesionalizmin për të marrë përsipër këtë sfidë.

“Ne sot jemi këtu për prezantimin e Ertila Gjini Nikolla, e cila do të garojë për LSI-në, sepse mendoj që sot më shumë se kurrë, jo se ne nuk kemi besim te burrat por kemi besim te forca e gruas, te energjia e gruas. Unë ndihem e privilegjuar kur me Tilën dakordësuam që ajo do e merrte përsipër këtë sfidë. E di që është një sfidë shumë e vështirë, mision impossible quhet për shumë gra dhe vajza por me suportin e të gjitha grave dhe vajzave të Kurbinit ne do ta realizojmë sepse dhe fuqia ime ka qenë gjithmonë të gratë dhe vajzat. Besoj te forca e Tilës, besoj te kurajo, te profesionalizmi i saj, besoj te forca juaj që do ti gjendeni asaj sepse në fund të fundit ne sot duhet të jemi të gjitha bashkë për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Ne jo pa qëllim e piketuam Ertilën si ekonomiste sepse dhe programi ynë e ka ekonominë në bazë dhe ajo që ne duam është që kur shpjegojmë prioritetet, rimbursimin e 5% të shpenzimeve për të formalizuar ekonominë në mënyrë të tillë që të ndihmojmë menjëherë xhepat e familjeve të shqiptarëve, tavolinat e tyre dhe nga ana tjetër të fillojmë formalizimin e ekonomisë që krijon hapësira për vende të reja pune. Ashtu sikurse një nga problemet më të mëdha sot është që fëmijët tanë sot duan të ikin nga Shqipëria sepse nuk shikojnë asnjë lloj mundësie, mungesa e punësimit, mungesa e mundësive për të zhvilluar ekonominë dhe programi nga bebja në bebe na krijon ne hapësirën dhe mundësinë për ta zhvilluar dhe ripopulluar Shqipërinë sepse për herë të parë në Shqipëri kemi vdekshmërinë më të madhe sesa lindshmërinë”, u shpreh Kryemadhi.

Më tej, kryetarja e LSI u ndal te programi i partisë së saj, duke thënë se “Programi ynë nga ‘bebja në bebe’ e stimulon kthimin e të rinjve sepse kanë garancinë, që në momentin që krijojnë familje e kanë mundësinë që të marrin një fond, prej 25 mijë dollarësh kur shkojnë në moshën 25 vjeç dhe duan të krijojnë familje. Dua të them që formalizimi i ekonomisë jo veç se do të rrisë pagat dhe mundësin për të rritur të ardhurat në buxhet, por do të rrisë dhe mundësinë në investime. Sa më shumë investime të kemi, sidomos në bashki si Kurbini, që ka turizëm malor, religjioz, bregdetar, lagunën do të jenë mundësi të jashtëzakonshme që krijojnë hapësira punësimi. Edhe të një turizmi elitar, të një turizmi të cilën je 10 minuta larg autoroportit, 15 minuta nga porti, 25 minuta nga porti i Shëngjinit. Ka kaq shumë mundësi.

Ne nuk duhet ta krijojmë Kurbinin si një xhep ku kalojmë dhe nuk i hedhim sytë, por duhet ta shikojmë me atë pasion dhe dashuri siç e shikojnë besimtarët katolikë kur vijnë të martat e Shën Ndoit. Nëse ne nuk kthejmë këtë dëshirë, pasion, do ta kemi betejën të humbur përballë papunësisë dhe varfërisë.
Jam e bindur që me angazhimin e Tilës, por jo vetëm të saj, por edhe të shumë grave e vajzave të tjera, që do ta bëjnë të mundur. E shikoj si një mundësi të jashtëzakonshme për të krijuar këtë hapësirë. 82 ditë na ndajnë, që janë dhe shpejt dhe shumë të gjata. Janë shumë të shpejta për të takuar çdo njeri, por janë shumë të gjata për lodhjen, sfilitjen dhe sfidat. Edhe për përplasjen që do të kemi, sepse mentaliteti arrogant dhe diktatorial që ka pllakosur sot në administratën në ikje jam e bindur që të ju ndjekin hap pas hapi, do rrëmojnë, kruajnë, do bëjnë çdo gjë.

Kush mendon mirë për njerëzit, kush mendon për ti ndihmuar, jo vetëm që Zoti do ti ndihmojë, por do ti ndihmojë edhe më shumë. Misioni ynë nuk është më mision individual, por është mision për të gjithë qytetarët. Sot më shumë se kurrë, jemi të qartë, kemi 5 ide, projekte që janë të realizueshme të prekshme, të mundshme. Them që janë të realizueshme për shkak se edhe vetë dëshira për tu bazuar tek të rinjtë dhe të rejat, do të na e krijojë këtë hapësirë të madhe”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb