Në vitin e dytë kur isha nxënës në Liceun Artistik të Tiranës, ishim të ulur me të gjithë klasën tek bordura e lulishtes përballë rrugicës që të çonte tek shkolla pedagogjike. Detyra ishte pejsazh dhe ne po pikturonim në teknikën e akuarelit.

Mbrapa nesh kalonin kalimtarë dhe shpesh ndalonin të kuriozuar teksa shikonin nxënësit në performancën e tyre.

Kalon aty edhe një burrë me fizik robust, i veshur me kominoshe të bardha. Shoqërohej nga një djalë i veshur edhe ai me kominoshe, i cili mbante një kovë bojë. Nuk do t’i kishim vënë re nëse burri me kominoshe të bardha nuk do të kthehej nga rruga dhe të vinte drejt nesh. Ndaloi afër bordurës pas studentëve dhe tha diçka që ka mbetur e pashlyer në mendjen time, jo aq për fjalët sesa për mesazhin që transmetoi ai atë ditë.

Nuk më kujtohen saktësisht fjalët, por pak a shumë ai tha: Unë kalova këtu pak më parë dhe nuk ndjeva asgjë. Si ka mundësi që pikturat tuaja nuk rezonojne asnjë ngacmim, asnjë emocion?

Asnjëri prej mësuesve tanë dhe askush tjetër deri atëherë nuk na kishte bërë me dije këtë opsion kaq potencial të pikturës dhe askush nuk e kishte pretenduar një efekt të tillë prej krijimeve tona më parë. Ishim të shokuar dhe të heshtur me gojën e hapur përpara tij.

Si mund të bëhet akuarel me këtë ujë, tha ai dhe tregoi me gisht kavanozin e një shokut tim me ujin që kishte marrë ngjyrën kafe të errët.

Akuareli kërkon transparencë, kërkon ndjeshmëri… njeriu fliste, ndërhyrja ishte arbitrare dhe komunikimi i pazakontë, pa u prezantuar dhe duke i kërkuar llogari nxënësve, ndërkohë që mesueset rrinin aty të heshtur, pa asnjë reagim.

Burri i panjohur u largua duke mbetur në mendjet tona.

Pyeta mesuesen time kush ishte ky njeri.

Është Ali Oseku më tha, ka qenë në burg.

I papershkrueshëm emocioni që shkaktoi dhe empatia që më pushtoi për atë person të panjohur, që në aq pak kohë mundi të krijonte një impakt emocional aq të fortë.

Nuk e dija që vite më vonë do të kisha fatin ta kisha mik atë njeri të jashtëzakonshëm, që na dha aq shumë me miqësinë e tij.

Aliu dhe Luça, e shoqja, ndërtuan me mirësinë e pazakontë një pikë takimi reference në gjeografinë e Tiranës për grupin e miqve që i frekuentonin.

Vitet e absurdit dhe tmerrit të burgut nuk i hoqën dot optimizmin dhe buzeqeshjen atij njeriu të fortë, i cili na mbushte me frymëzim dhe ngazëllim në çdo takim me të.

I shoqëruar nga pikturat, librat, muzika dhe miq të mirë ndërtoi një mikroklimë, që miklonte këdo që donte të inspirohej dhe të ndihej i vlerësuar dhe i respektuar njëkohësisht.

Ky oaz i mirësisë, pasionit artistik dhe njerzillëkut nuk do të jetë më në këtë qytet.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb