Doli prej burgut piktori, e as e ktheu më kokën pas. Veç piktor, mjeshtër. Mori bojë e penel dhe thasë liri, edhe ia nisi sërish të ngjyrojë. Dhe sërish punë e paqme, me ngizjen kromatike tipike, ngjyrat e hijezimet në tablotë spektrale, por pa asnjë hije fantazmë të pikasur në to, ndoshta veç prej autorit të tyre.

Ngjizi dhe dy fëmijët njëpasnjë, me Luçen e tij grua, që i pat punuar çorapet e fanella leshi të dimrave të rreptë, pa të cilat mortja do ia kish prerë jetën me kohë, mes lagështisë së dyshemesë çimento, tavanit dhe katër mureve të qelisë, shto dhe ndëshkimet shkuar në kaush.

Modeste shtëpiza apartament, në ngrehina muresh parafabrikate ngrehur nga të burgosurit dhe ndonjë dorë llac me kova që ngjisnin banorët me punën e të dielave ‘kontribut vullnetar’.

Mure të veshur anekënd nga peizazhet hënorë të tablove, dhe pa gjurmë urrejtjeje, pa grimë mërie, aq më pak revanshi.

S’kishte as vend mënjanë për të birin, që fill pasi krevatin e vogël e zuri e e bija më pas, po i shkonte muajt klloçkuar mes çiftit.

Sado i mbarë, i mirë e i butë si një Laert, sikur s’i rrinte ai emër tragjedie. I ati nuk bartte e as donte të përçonte në jetë asnjë ngarkesë prej tragjikes së vet. Një ditë më dëftoti se në të vërtetë, ky ishte emri që i mbet pas një gabimi njerëzor të zyrës së regjistrimit. Ku emrit të mbretit ilir, shprehur nga vullneti i prindit, i patën ngatërruar vendosjen e zanoreve të njëpasnjëshme. Nga Leart në Laert e për te tragjedia me një tjetër mbret. Dhe biseda vijonte që ermri gjithësesi i shkon shumë mirë; ndonëse jo nga qasja e të atit me një Pollon, aq më pak si kundërshti ndaj helmit të pabesë të një Klaudi, po ndoshta për adhurimin e Laertit ndaj atit shpirtëror Hamlet dhe krisjes marrake mbi kryet që mban çdo artist.

E linte herët e shoqja shtratin, dhe niste nga punët, të qeveriste njëherë aneksin kuzhinë, njëherit e po aty, edhe punishte atelier. Shpeshherë, mes zhurmash zgjimi të pallatit ku pas pak përzihej edhe tundja nga centrifugat e larjes përpara se të shterej çezma, dëgjohej zëri bas i piktorit, që edhe në krevat vizatonte:

Luçe, hajde se ra Laerti!

Hajde këtu, se Laerti ra!

Dhe vinte Luçia ta ngrinte, e sa herë që edhe tani e tregonte, aq herë Aliu qeshte me atë të qeshur dëlirësie infantile. Ai ia mbërriti asaj gjendjeje të lume artisti që ndodh vetëm kur nuk braktiset fëmija brenda vetes.

Por si një gjakovar i urtë, më vinte natyrshëm ta thërrisja baca Ali. Ndonjëherë, edhe Abaz Ali, bashkë me vargjet që i kanë blatuar atij: Ç’është ai që shkon kaluar / ikën si veriu / me të dy foshnjet në duar / është Abaz Aliu.

Me siguri është edhe nga efekti i paqes prej pikturës së sheshtë të tij, ai sheshim i distancës së moshës dhe komunikimit me bac Aliun.

Njëherë, Aliu që nuk e fliste ndonjëherë burgun e tij përveçse për të sjellë në bisedë të shoqen Luçe dhe vuajtjet e saj për burgun e tij, u shty ca më tej. Për të më folur mbi rastet kur mbërrihej çnjerëzorja:

kur e detyronin të gëlltiste supën e burgut, në enën porsa fshirë nga jashtëqitjet.

Mirëpo, në tablo, asnjë shenjë reference me të shkuarën vetiake. Askund burg. Asnjë qeli. Asnjë makth… veç qiej si nga e shkuara parake e ngjizjes së botës, si në atë supën primordiale. A thua?! Po prit, prit pak kur të gjendesh para kanavacës Osek! Dhe vetëm pas pak do shquash në pika të caktuara të tablosë, ndër ato pikëla gjurmësh mavi që s’janë aspak njolla: shenjimin pikëllim, që rrjedh nga ato vraga plagësh. Dhe prapëseprapë, do të mbetej çudi në rastin e tij të një vuajtje të qartë, mungesa e qartësisë së shenjës së drejtpërdrejtë! Si nuk shfaqen si makth?!. Kujtoj tani një fjalë të çuditëshme të gjuhëzimit arkaik, të ngjashme këtu edhe për ta emërtuar këtë fakt, e ndoshta diç më shumë edhe mbi tablonë e tij: ‘Imakth’ – ajo gjendje e lume, e përndertë, në bashkësi me dritën.

Sepse një artist i qartë, që tenton një art të lartë, nuk bie nën tundimin të shfaq plagën, por vurratat.

Pretenca e dënimit kish qenë: ndëshkim me heqje lirie për vite, për modernizmin në tablo. Dhe skenografinë e operas ‘Aida’. E vetmja “dhuratë” prej burgut: sentencat nga klasikët e artit dhe letrave, që i pat mësuar përmendësh nga përmendja pa reshtje mes mureve të qelisë. Porse tanimë, në paskuintat e lirisë, ajo që përsëriste më shpesh vinte prej qasjes së jetës nga Gëte tek shprehja ‘një poezi, muzikë e mirë, një kundrim tabloje, një gotë verë…e ca fjalë të mira miqsh’.

Në studion e tij, tablo të mëdha, shtuar gjithherë të reja, libra të mëdhenj, të vjetër e të rinj, verë e vjetër, dhe opera në sfond. Dhe miqësi që vjetërohej mirë. E imja me Osekun, qysh prej ekspozitës inauguruese të galerisë Zenit.

Edhe pa prani të luleve dhe të femrës në tablo, nga tablotë e Osekut ndehet një fragrancë petalesh, buzkuqi dhe parfumi. Tablo pa askund prani njeriu, as shenjim kohësh a vendesh; peizazhe abstrakte primitive sikur nga ngjizja primordiale.

“Ogni colore si espande e si adaggia negli altri colori, per essere piu solo se la guardi”, e thoshte Ungaretti, poeti.

Mrëpo, m’a përsëriste shpesh edhe një maraz:

– rritur në punishten e tim’ eti rrobaqepës, kur isha fëmijë më bënte përshtypje, thoshte, se si tironsit e vjetër tek shkonin para portës, nuk mungonin të qasnin kokën edhe thjesht për të përshendetur: puna mbarë, usta! E ke vënë re, tani rrallë gjen njeri që të hyjë, qoftë sa të të thotë atë shprehjen ‘puna mbarë usta’!

Dhe prapëseprapë, e kalonim me të qeshur.

Fushat e tij të ngjyruara mbytur në dritë, spacio infinit si gjithë fusha e artit abstrakt që sugjeron sublimen e trashendencën me inspirim mitik, kanë atë shend e qetësi olimpike që ka, që kishte, dhe autori i tyre. Dhe horizontet e tij karakteristike, që diku e ndërpresin shtrirjen e tablosë për ta rimarrë vijuar pas horizontit.

Kohët e fundit, miq arti që nuk janë më, më vijnë në prani përmes të qeshurës tyre. E qeshura e Lume Blloshmit, që ndehej edhe më plotërisht se e folura e saj, e qeshura Ben Bajos, Mustafa Arapit, e qeshura e Maks Velos edhe nën vetullat e vrenjtura si jakë kapote burgu, e qeshura e Moikomit. Ajo e qeshur si atëhere, me zë basi. E për ta thënë tani me ngjyrë, një e qeshur blu. Apo, muzikalisht, si një e qeshur bluzi dhe xhazi.

Si për ta, dhe për të, Osekun, lypset ajo distancë largësie ajrie nga njeriu, si nga vepra në tablo, apo instrumentat e zërat në skenën e një arie opere, për t’ia shijuar secilit orkestralen e pjesës së vet si një e tërë.

Aliu po shkon të shtrihet e ndehet në tërë horizontet e veta; pas pak, do të prehet në horizontin e tij më të qartësuar.

E nëse një ditë, kur mbase ndonjë a seicili prej nesh do mund ta takojë, mund ta përshëndesë me atë shprehjen e nostalgjisë së tij mungesë:

Puna mbarë, Usta!

Oseku do të qeshi.

4.4.2024

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb