Redon Xhixha është një lajm pozitiv për stafin teknik, pasi sulmuesi është rikthyer në stërvitje me grupin dhe do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Teutës.

Pas problemeve fizike që e kanë mbajtur larg skuadrës, futbollisti ka lënë pas shqetësimet dhe tashmë është në dispozicion të trajnerit për përballjen me durrsakët. Rikthimi i tij pritet të shtojë alternativat në repartin ofensiv, në një moment kur skuadra kërkon të jetë sa më e plotë për këtë takim.

Në krahun tjetër, situata nuk është e njëjtë për Bernard Berishën. Futbollisti ka humbur sfidën me Teutën për shkak të dëmtimit dhe mundësitë që të jetë gati për takimin e radhës janë të pakta. Stafi mjekësor do të ndjekë gjendjen e tij fizike, për të parë nëse do të mund të rikthehet në stërvitje me grupin në ditët në vijim. Përveç Berishës, trajneri do të duhet të bëjë llogaritë edhe pa Ardit Krymin. Mesfushori do të mungojë për shkak të pezullimit, pasi ka plotësuar numrin e kartonëve. Kështu, tekniku do të ketë dy mungesa për këtë përballje, ndërsa rikthimi i Xhixhës përbën një alternativë të rëndësishme për skuadrën.

Xhixha prin Tiranën, Kish shkëlqen në dy fronte
Redon Xhixha është golashënuesi më i mirë i Tiranës në këtë sezon. Sulmuesi kryeson listën e realizatorëve te bardheblutë me pesë gola të shënuar, duke qenë lojtari më produktiv i skuadrës në këtë aspekt. Pas tij renditet Tomislav Kish, i cili ka realizuar tre gola, po aq sa edhe Drilon Hazrollaj. Në listën e golashënuesve janë gjithashtu Bojan Ilievski dhe Erdon Daci, me nga një gol secili. Në total, pesë futbollistë të ndryshëm kanë gjetur rrugën e rrjetës për Tiranën.

Por Kish nuk spikat vetëm në realizimin e golave. Sulmuesi është edhe asistuesi më i mirë i skuadrës, me katër pasime vendimtare. Në të njëjtën kuotë ndodhet edhe Bernard Berisha, duke ndarë vendin e parë në këtë klasifikim. Drilon Hazrollaj ka regjistruar dy asiste, ndërsa Bojan Ilievski dhe Patrik Mysloviç kanë nga një të tillë.

Këto statistika tregojnë se Kish është një nga lojtarët më produktivë të Tiranës, pasi ka kontribuar si në shënimin e golave, ashtu edhe në krijimin e rasteve për shokët e skuadrës. Ndërkohë, Xhixha mban rolin e golashënuesit kryesor, me pesë realizime deri në këtë pikë të sezonit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb