Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përballet me një nga sfidat më të mëdha politike, pasi rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, pritet të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, duke e afruar opozitën me mundësinë e largimit të tij nga pushteti.
Presidenti Isaac Herzog do t’i dorëzojë zyrtarisht Eisenkotit mandatin të dielën, pasi ky i fundit siguroi mbështetjen e 67 prej 120 deputetëve të Knessetit, kundrejt 46 që mbështetën Netanyahun. Megjithatë, pavarësisht kësaj epërsie parlamentare, krijimi i një koalicioni mbetet i ndërlikuar për shkak të përçarjeve brenda opozitës, shkruan CNN.
Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite dhe drejtues i partisë Yashar, synon të krijojë një qeveri të emergjencës kombëtare, ku do të përfshihen katër partitë kryesore opozitare hebraike. Plani i tij parashikon gjithashtu mbështetjen parlamentare nga partitë arabe, të cilat së bashku zotërojnë 19 mandate, pa qenë domosdoshmërisht pjesë e kabinetit qeveritar.
Por pengesa kryesore për këtë skenar është Avigdor Liberman, kreu i partisë Yisrael Beiteinu, i cili ka përjashtuar kategorikisht një qeveri që varet nga mbështetja e partive arabe. Ai paralajmëroi se një koalicion i tillë do të ishte jetëshkurtër dhe mund të rikthente Netanyahun në pushtet me një mbështetje edhe më të madhe.
Në vend të kësaj, Liberman propozon një koalicion me partitë ultraortodokse Shas dhe United Torah Judaism, duke përjashtuar partitë arabe. Por ky propozim bie ndesh me një prej premtimeve kryesore të opozitës: shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të gjithë qytetarët, përfshirë burrat ultraortodoksë, të cilët aktualisht kërkojnë të ruajnë përjashtimet nga shërbimi ushtarak.
Ndërkohë, Netanyahu po përpiqet të pengojë çdo bashkëpunim politik mes opozitës hebraike dhe partive arabe. Në një deklaratë publike, ai paralajmëroi se Izraeli nuk do të mund të mbijetonte nëse vendi drejtohej nga një qeveri minoritare e mbështetur nga këto parti. Në vend të saj, ai kërkoi krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar nën drejtimin e Likud.
Eisenkot i hodhi poshtë propozimet e kryeministrit, duke i kërkuar Likud-it të shkëputet nga aleanca me partitë e ekstremit të djathtë dhe të bashkohet me një qeveri të drejtuar prej tij.
Sfida e parë për opozitën pritet të jetë votimi për drejtimin e ri të Knessetit, ku synohet zëvendësimi i kryetarit aktual, aleat i Netanyahut. Më pas, Eisenkot do të ketë 28 ditë për të negociuar formimin e qeverisë, me mundësinë e një zgjatjeje prej 14 ditësh.
Nëse dështon, mandati mund t’i kalojë një kandidati tjetër, ndërsa Netanyahu vijon të qëndrojë në detyrë deri në krijimin e një qeverie të re.
Eisenkot e ka cilësuar situatën si një emergjencë kombëtare, duke argumentuar se një kryeministër që nuk ka më shumicën parlamentare nuk duhet të vazhdojë të drejtojë institucionet e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit.
