“Një orë mësimi karnaval, është organizuar në shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi” në Korçë. Të veshur karnaval dhe me kërcime të veçanta, të ndarë në grupe, nxënësit i kanë dhënë një tjetër pamje qytetit dhe shkollës. Rreth 580 nxënës dhe mësues të ndarë në 18 grupe, performuan para një jurie me fabulat e krijuara nga vetë ata, nëpërmjet të cilave godasin fenomenet negative të shoqërisë.

Korça është qyteti ku karnavalet janë një festë e vërtetë, megjithatë një orë mësimi karnaval, është një risi. Festës iu bashkuan edhe aktorë të Teatrit të Korçës, të cilët me kostumet e tyre veneciane i dhanë më tepër bukuri festës.

E veshur me fustanin e Frosinës te komedia “Kopraci”, Zamira Kita shprehet tepër e kënaqur për këtë organizim. Të rinjtë të cilët edukohen me dëshirën për të bërë art kanë nevojë gjithmonë për mbështetje.

Ambasadori i karnavaleve në Europë për Shqipërinë, Vasillaq Niço thekson se ky organizim është i veçante pasi grupi më i mirë i përzgjedhur nga juria do të marrë pjesë në karnavalet e Maqedonisë për të përfaqësuar Shqipërinë.

“1 orë mësimi karnaval” çeli kështu një nismë të bukur për të gjithë të rinjtë të cilët duhet të bashkohen dhe të edukohen me dëshirën për festat e qytetit, artin dhe kulturën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb