Është një skuadër plot me kampionë, por çuditërisht e ka të vështirë të shënojë nga 11-metrat dhe për ta zgjidhur këtë problem, Guardiola ka një ide të çmendur: duke filluar që tani, penalltitë e Mançester Sitit do t’i godasë portieri Ederson.

Gabimi i radhës nga pika e bardhë, kësaj here nga ana e Gabriel Zhezus, në takimin e fundit kundër Shefildit, ka detyruar teknikun spanjoll që të gjejë një zgjidhje jo të zakontë, siç e ka konfirmuar ai vetë.

“Jam i shqetësuar dhe duhet të mendohem mirë. Në nivele të larta, penalltitë janë të rëndësishme dhe bëjnë diferencën. Duhet të vendos për goditësin e radhës. Edersoni është më i mirë që kemi. Ai nuk e humbet kurrë qetësinë, nuk i shkon gjaku në kokë, ndaj mund t’i gjuajë ai”, ka thënë Guardiola.

Portierë që gjuajnë penalltitë nuk janë gjë e re në futboll. Në vitet e fundit ka qenë Hoze Luiz Shilavert që ka realizuar 62 gola dhe i vetmi portier që ka mundur të shënojë një tripletë në histori. Më i famshmi është Rogerio Ceni me 129 golat e tij. I famshëm për ftohtësinë e tij është dhe Hans Jorg But e dhe Rene Higuita. Ndërsa në Shqipëri është Isli Hidi, që në këtë sezon po shkëlqen jo vetëm në portë, por edhe nga pika e bardhë, duke realizuar 4 gola! Mjafton të kujtojmë se Hidi ka shënuar më shumë gola se cilido sulmues i kampionëve në fuqi të Partizanit dhe është i shtati në listën e golashënuesve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb