Vijojnë fjalimet e ashpra para godinës së Kryeministrisë, ku qytetarët e mbledhur në ditën e 72-të të protestës kanë lëshuar akuza të forta ndaj klasës politike dhe drejtuesve të shtetit.

Gjatë fjalës së tij para turmës, një nga protestuesit kërkoi vendosjen e drejtësisë pa asnjë dallim për të gjithë ata që sipas tij e kanë çuar vendin drejt varfërisë:

“Rama në burg, Berisha në burg, të gjithë kriminelët që e lanë Shqipërinë të varfër! Të gjithë duhet të përfundojnë në burg për krimet ndaj këtij vendi,” u shpreh ai.

Më tej, ai citoi një mesazh të shpërndarë nga ambasada e SHBA, duke iu referuar qëndrimeve të Sekratarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si një “shuplakë” ndaj qeverisjes dhe abuzimeve me pushtetin:

“Një vend që nuk është në gjendje të ndërtojë anije, të prodhojë ilaçe, të kontrollojë emigracionin ose të sigurojë qasje në burimet jetike, nuk mbron dot popullin, interesat dhe mënyrën e tij të jetesës! Sekretari i Shtetit Marco Rubio i jep një shuplakë boshtit të krimit e korrupsionit, njeriut që shet trojet e atdheut si ta kishte çifligun e vet,” deklaroi ai.

Protestuesi theksoi se qytetarët e pranishëm në shesh po protestojnë pa asnjë interes personal, por vetëm për të jetuar me dinjitet në atdheun e tyre, duke e përmbyllur fjalën me zotimin: “Vazhdojmë protestën deri në zhdukjen e tiranit Edi Rama!”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb