Klevis Balliu, ka reaguar në Facebook një vit pas ngjarjes së 9 gushtit, duke akuzuar qeverinë se përdori kompaninë shtetërore KAYO për të goditur “News24”.
Balliu thotë se në kohën kur ndodhi ngjarja, televizioni po hetonte dhe denonconte disa prej aferave që ai ia atribuon ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“KAYO ishte firmosur nga Belinda Balluku dhe, në atë kohë, News24 po hetonte dhe denonconte disa prej aferave të saj”, shkruan Balliu.
Sipas tij, reagimi i kryeministrit Edi Rama ka qenë dërgimi i policisë në ambientet e televizionit, ndërsa pretendon se qëllimi nuk ishte vetëm largimi i medias, por edhe marrja e dokumenteve të përdorura për investigimet.
Balliu e lidh këtë ngjarje edhe me situatën në burgun e Fierit, duke ironizuar angazhimin e madh të forcave të policisë në ndërhyrjen ndaj “News24”.
“Sikur të kishin dërguar aq shumë polici në burgun e Fierit sa dërguan te News24, ndoshta burgjet nuk do të kontrolloheshin nga krimi”, shprehet ai.
Në përfundim, deputeti i opozitës akuzon qeverinë se institucionet shtetërore janë nën kontrollin e saj dhe e mbyll reagimin me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit dhe qeverisë.
