Gjykata e Apelit Administrativ shqyrtoi padinë e prokurores së Tiranës Sonila Muhametaj, kundër Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ish-prokurorja e krimeve Sonila Muhametaj i kërkoi Gjykatës që të zhbëjë vendimin e KLP që e skualifikoi nga gara dhe kërkoi emërimin në SPAK.

Muhametaj paraqiti pretendimet se KLP ka shkelur rregulloren dhe ligjin duke emëruar padrejtësisht dy kolegët e saj, kandidatë të cilët nuk plotësonin kriteret ligjore, për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në garë bashkë me të ishin prokurori i Elbasanit Alfred Shehu, i cili sipas saj rezulton të jetë kapur publikisht duke gënjyer në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Elbasan, para fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku në qendër të qytetit u qëllua për vdekje mjeku Pjerin Xhuvani.

Shehu pati deklaruar atëherë në konferencë për shtyp se në vendngjarje, nuk janë gjetur materiale zgjedhore, ndërkohë nga ana tjetër në sallën e gjyqit deklaroi të kundërtën. Për këtë ngjarje akuzohet si autor Arbër Paplekaj, pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës krijuar nga PD.

Kandidati tjetër ishte Elvin Gokaj, prokuror që ka kaluar vettingun dhe ka qenë drejtues në disa prokurori, por është ndër rastet e vetme që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka konsideruar me mangësi të theksuara profesionale dhe e detyroi atë të kthehej dhe pas 20 vitesh punë të ndiqte kursin trajnues në shkollën e Magjistraturës.

Muhametaj thotë se KLP duhet ta emërojë atë në SPAK për sa kohë që plotëson të gjitha kriteret ligjore. Seanca e radhës do të mbahet në datë 4 mars, ndërsa gjykata vendosi që të thirren në proces edhe dy kandidatët, në cilësinë e personit të interesuar, si pjesë e procesit gjyqësor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: