TIRANË- Deputeti demokrat, Flamur Noka ka reaguar sot për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që e klasifikon Shqipërinë burim marijuane dhe vend tranzit për kokainën e heroinën. Noka tha sot se DASH konfirmoi denoncimet e opozitës dhe ky sipas tij është një kthim mbrapa për Shqipërinë. Ai e ka quajtur Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, krenarist.

“DASH konfirmoi atë që kemi thënë vazhdimisht. Dalja e ministrit, dalje krenaristi. DASH e cilëson në mënyrë të drejtpërdrejt që Shqipëria është prodhuesi kryesor i kanabisit në Europë dhe pikë transiti i drogave të forta. Konfirmim më të qartë dhe më të plotë se ky nuk ka për të treguar se në këtë vend qeverisin bandat dhe trafikantët të lidhur me Ramën e Tahirin. Ky raport konfirmon atë që shqiptarët e shohin”, tha Noka.

Ai theksoi se bandat e Habilajve dhe Shullazëve e kanë kthyer Shqipërinë në plantacion droge. “Ky është realiteti që i vuri vulën edhe sot DASH. Ky është turp për Shqipërinë. Ky është një kthim prapa, është e turpshme dalja e një krenaristi. Ai del me paturpësi bashkë me kryeministrin e tij për një turp dhe një damkë që iu vu vendit tonë sot”, deklaroi Noka.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: