TIRANË

Në intervistën ekskluzive për gazetarin Sokol Balla në News24, zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar thotë se vendimet për të shpallur një zyrtar apo ish zyrtar si të korruptuar është institucional dhe aspak politik, duke sjellë në vëmendjen rastin e dy ditëve më parë, me sanksionet ekonomike që iu vunë grupit serb në veri të Kosovës.

“Është një vendim institucional. Dhe nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjesht kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj, ndaj askush nuk duhet t’i shohë këto vendime si vendime politike të bëra nga një administratë apo nga një institucion.” – shprehet Escobar, ndërsa pretendimet e ish kryeministrit Berisha se vendimi për shpalljen e tij non grata ka qenë skemë e Sorosit e miqve të tij, i konsideron absolutisht të gabaruara, madje të rrezikshme sipas tij.

Pjesë nga intervista:

Sokol Balla: Dakord, atëherë le ta çojmë bisedën drejt e në thelb. Departamenti i Shtetit e cilësoi Sali Berishën dhe familjen e tij si ‘non-grata’ për SHBA-në dhe ky ishte rasti i katërt pas Llallës, Dakos dhe Doshit. Shumë njerëz pyesin pse kaq shumë shqiptarë në këtë listë të zezë? Pra, ne nuk e shohim që të ndodhë… ok, duke përjashtuar rastin e veriut të Kosovës dhe Serbisë në dy ditët e fundit, nuk e kemi parë të ndodhë kaq shumë në Ballkanin Perëndimor. Dikush mund të mendojë, a jemi ne shqiptarët më të këqijtë e djemve të këqinj?

ZV/NS Escobar: Jo! Në fakt, do të shihni më shumë! Por në fakt, kjo është pyetja që marrim nga shumë njerëz. Pse i shohim më të shënjestruar rusët, apo ukrainasit apo serbët. Por e vërteta është se ne e ndjekim korrupsionin aty ku është. Pra, kjo është një përpjekje midis agjencive, një përpjekje midis shumë agjencive, që përfshin Departamentin e Thesarit, FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit, për të kuptuar se ku është korrupsioni dhe për të kuptuar se ku është ndikimi gërryes. Dhe ky është një vendim institucional, jo një vendim politik.

Sokol Balla: Dakord, por shumë njerëz do të thoshin se në rastin e Berishës, ka qenë larg pushtetit për shumë vjet, 8 vjet tani, dhe ka njerëz të tjerë që janë në pushtet dhe Shqipëria ishte dhe vazhdon të tjetë një vend ku korrupsioni është i lartë, ose të paktën perceptimi i korrupsionit është shumë i lartë dhe shumë thonë, pse shkoni dënoni Berishën dhe nuk shpallni të tjerë që janë ende në pushtet?

ZV/NS Escobar: Sepse nuk është një vendim politik. Është një vendim institucional. Dhe nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjesht kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj, ndaj askush nuk duhet t’i shohë këto vendime si vendime politike të bëra nga një administratë apo nga një institucion.

Sokol Balla: Pra po sugjeroni që kur ishte fjala për shpalljen e Berishës dhe familjes së tij, puna ndodhi edhe nën administratën Trump?

ZV/NS Escobar: Po.

Sokol Balla: Dakord, disa këtu thonë se është skemë e Sorosit dhe miqve të tij, përfshi Edi Ramën dhe ambasadoren tuaj këtu.

ZV/NS Escobar: Çfarë thonë?

Sokol Balla: Thonë që Xhorxh Soros po sponsorizon një lëvizje të tillë kundër Sali Berishës sepse Z. Berisha bllokoi ndarjen e Kosovës apo rishkrimin e kufijve me Serbinë.

ZV/NS Escobar: Absolutisht nuk është raste. Kjo është absolutisht e gabuar. Është e rrezikshme.

Sokol Balla: Pse?

ZV/NS Escobar: Sepse nuk dua që njerëzit t’i shohin këto mendime dhe këto shpallje si mjet politik. Këto janë përpjekje institucionale për të luftuar korrupsionin. Ja se ç’janë. Ndaj, nuk u bë nga një administratë, nuk u bë nga një vendim-marrës, dhe nuk u bë nga një anëtar apo një organizatë brenda kabinetit. Ishte një përpjekje kolektive dhe arritëm konsensus për të.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb