TIRANE- Partia Drejtësi dhe Unitet ka mbështetur vendimin e ministrisë së Jashtme shqiptare për notën e protestës lëshuar në drejtim të shtetit grek, për kundërshtimin e akordimit të pjesëve të territorit ujor shqiptar për kërkime nafte nga ana e shtetit grek.
Në një reagim për mediat, PDIU ka theksuar se ky qëndrim është dëshmi e shkallëzimit publik të reagimit shtetëror ndaj arrogancës greke. “Shteti grek po synon të luajë me kartën e faktit të kryer për një pjesë të shelfit tonë kontinental, ku prej kohësh janë kryer kërkime për llogari të shtetit shqiptar. Marrëveshja e detit nuk ka asnjë vlerë legale ndërkombëtare dhe shteti grek nuk mund të përcaktojë vetë si të dojë kufijtë ndërkombëtarë.
“PDIU koherente me qëndrimet e veta të mëparshme kishte vlerësuar këtë reagim zyrtar që tani po merr dhe formë publike. Por ne sugjerojmë si dhe më parë që të investohen për këtë qëllim dhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë në rolin e arbitrit. Ndërkohë shteti shqiptar duhet të paralajmërojë kompanitë që po kryejnë kërkime të mos hedhin asnjë hap në rrethana të tilla.”, citohet në reagimin e PDIU-së.
Sipas PDIU-së, koha kur Greqia bënte të fortin në rajon ka mbaruar.
(ed.me/BalkanWeb)
