Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në vijim të konferencës për shtyp të mbajtur sot, komentoi zhvillimet pas zgjedhjeve të 11 majit, duke u ndalur veçanërisht te qëndrimet e opozitës dhe pritshmëritë ndaj raportit të OSBE/ODIHR.
“Unë do të pres vlerësimin e raportit të OSBE/ODIHR për notën që i vendosin zgjedhjeve që zhvilluam më 11 maj,” deklaroi Celibashi, duke theksuar rëndësinë e një analize të paanshme dhe profesionale për të matur cilësinë e procesit zgjedhor.
Ai u shpreh se qëndrimi i opozitës, e cila ka refuzuar të njohë rezultatin e zgjedhjeve, është një sinjal shqetësues.
“Deklaratat e opozitës që nuk njeh zgjedhjet është problem dhe të bën të mendosh që diçka nuk ka shkuar mirë në këtë proces,” tha Celibashi, duke shtuar se çdo kontestim duhet adresuar përmes institucioneve dhe rrugëve ligjore.
Megjithatë, pavarësisht problematikave të evidentuara, Celibashi shprehu bindjen se zgjedhjet e 11 majit përmbushin standardet që kërkohen nga një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Tej çdo problematike të evidentuar, mendoj se këto zgjedhje janë zgjedhje që i bën një vend kandidat për në BE,” përfundoi ai.
