Një konflikt mes pronares së një lokali dhe qiramarrësit ka përfunduar në një përplasje të përsëritur në Divjakë, me pretendime për qira të papaguara, dëme materiale dhe ndërhyrje të policisë.

Në emisionin “TakFak”, zonja Drita Gorrea tregon se ka në pronësi një lokal në qendër të Divjakës, të cilin ia ka dhënë me qira Ardit Gjonit në gusht të vitit 2025. Sipas saj, qiramarrësi nuk ka paguar gjashtë muaj qira, ndërsa kontrata ka përfunduar në gusht të këtij viti. Pavarësisht përfundimit të kontratës, ajo pretendon se Gjoni ka vijuar të mbajë lokalin dhe të ushtrojë aktivitetin aty.

Gorrea thotë se e ka njoftuar disa herë për lirimin e pronës, ndërsa sipas saj, edhe noterja e ka njoftuar qiramarrësin për largimin. Megjithatë, ajo pretendon se këto njoftime nuk kanë sjellë lirimin e lokalit.

Situata është përshkallëzuar më tej pasi, sipas pronares, qiramarrësi ka njoftuar policinë pas një prej përplasjeve mes tyre. Gorrea tregon se efektivët i kanë kërkuar të largohej e qetë drejt banesës së saj, duke i thënë se me çështjen do të merrej policia.

Pak ditë më vonë, Drita ishte larguar drejt Italisë, ku jeton, por më pas është njoftuar se lokali ishte hapur sërish dhe se dera ishte hapur me forcë. Kur u kthye në Divjakë, ajo pretendon se gjeti një kamarier brenda lokalit, i cili i tha: “Ne nuk dalim deri në vdekje.”

E shqetësuar për situatën, Gorrea thotë se ndërmori edhe një tjetër veprim, duke ndërprerë energjinë elektrike të lokalit. Sipas saj, edhe pas kësaj, qiramarrësi ka vijuar ta mbajë pronën dhe ka ndërruar vazhdimisht drynin sa herë që ajo e ka rikthyer kontrollin mbi derën e lokalit.

Në praninë e kamerave të “TakFak”, Gorrea kontakton sërish në telefon Ardit Gjonin dhe e njofton se do të nxjerrë sendet e tij nga lokali. Më pas, gazetarët kontaktojnë edhe palën tjetër, e cila, përmes telefonit, kundërshton pretendimet e pronares dhe ia atribuon përgjegjësinë asaj.

Për shkak se palët nuk gjetën një zgjidhje, u njoftua policia që të ishte e pranishme gjatë nxjerrjes së sendeve nga lokali, për të shmangur ndonjë incident.
Efektivët mbërritën pas rreth një ore, por nuk ndërhynë në konfliktin mes palëve. Ata qëndruan në distancë, ndërsa Gorrea, në praninë e tyre, hapi derën e lokalit dhe, me ndihmën e disa punëtorëve, nisi të nxirrte sendet e qiramarrësit.

Pas hapjes së lokalit, pronarja tregoi edhe dëmet që, sipas saj, i janë shkaktuar gjatë periudhës së përdorimit të pronës, duke e vlerësuar dëmin në rreth 5 mijë euro.
Por konflikti nuk përfundoi aty. Brenda 24 orësh, sipas Gorresë, Ardit Gjoni ka hapur sërish me forcë derën, ka futur përsëri sendet në lokal dhe ka ndërruar bravën.
Pronarja thotë se brenda një dite ka bërë dy denoncime në polici, por sipas saj, pa marrë një zgjidhje konkrete. Për këtë arsye, gazetarët e “TakFak” janë drejtuar drejt Komisariatit të
Policisë së Divjakës për të kërkuar një shpjegim.

Në komisariat, sipas kronikës, fillimisht ndodhej vetëm oficeri i shërbimit, ndërsa më pas mbërriti një tjetër punonjës policie, i cili mori Gorrenë për të përpiluar një tjetër kallëzim. Sipas pronares, ky ishte kallëzimi i gjashtë që ajo kishte bërë lidhur me çështjen.
Pas përfundimit të procedurës, oficeri i shërbimit u shpreh se çështja i përkiste Prokurorisë, pasi materialet lidhur me konfliktin për lokalin ishin dërguar atje.

Pa marrë një përgjigje të plotë në Divjakë, grupi i “TakFak” u drejtua edhe në Komisariatin e Fierit, ku Gorrea bëri një tjetër kallëzim. Pas daljes nga komisariati, ajo tha se oficeri i shërbimit kishte mbajtur një procesverbal për situatën dhe se policia do të vepronte në përputhje me rregulloren.
Çështja mbetet tashmë mes pretendimeve të dy palëve dhe procedurave të ndjekura nga policia dhe organet e drejtësisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: