Deputeti i  Partisë Socialiste, Petro Koçi i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, foli për përshkallëzimin e deputetëve të opozitës në Kuvend si dhe kërkesën e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore.

Koçi u shpreh se PS nuk do ngrejë komisionet hetimore, ndërsa argumentoi se kjo gjë do të sillte ngërç në Kuvend. Më tej deputeti socialist tha se opozita po bën përpjekje për të ‘larë hesapet’.

Ndër të tjera ai tha se akti i sotëm lidhet me hetimin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe për futjen e emrave të deputetëve në listat zgjedhore.

“Dita sot  shkoi allashqiptarçe. Ne duhet të kemi gjithë fuqinë për të qenë bashkëpërgjegjës, por pa qenë bashkëfajtor. Ky akt i sotëm ka lidhje me dy gjëra. E para është situata ku ndodhet sot Berisha, që lidhet me hetimin e çështjes ‘Partizani’. E dyta ka të bëjë motivime që vijnë nga fakti që nesër duan të jenë pjesë e listave zgjedhore. Është bërë marrëveshja BB, Berisha –Bardhi, ku janë bërë pjesë dhe deputetë të tjerë. Kjo e ka kthyer tregun ku  njëri tregohet më i pasjellshëm se tjetri. Është një garë që njëri është më revolucionar se tjetri.

Për komisionin  e reformës zgjedhore, është një situatë ku kanë të gjithë të drejtë. Berisha thotë se ka të drejtë se ka shumicën e deputetëve. Basha thotë se është ai kryetari i PD, pasi ka vulë dhe logo. Meraku i tyre është kjo çështje. Kjo punë, kërkon racionalitet, që i  bie se opozita mund të kërkojë 100 komisione. Natyra e këtyre komisioneve janë të njëjtat. Tradita ka treguar që dëshmitarët janë trajtuar si të pandehur, kjo është metoda e PD-së.

Çdokush mban përgjegjësi për atë që bën dhe atë që nuk bën.  Në momentin që je në politikë rrugët janë këto… Do shohësh komunikimin me publikun dhe duhet të jesh brenda kuadrit kushtetues. Unë mendoj se.. Po themi që impakti më i mirë i politikanët është jo ajo që thonë, por ajo që bën. Mblidhet grupi parlament i opozitës dhe debatojnë se si do marrim shashkat dhe tymueset në Kuvend. Çfarë aksioni është? Miratimi i ligjeve nga ne nuk është normale, por është legjitime. Ligjet në Kuvend nuk diskutohen nen për nen. Kur ka ligje dalin deputetët dhe shfrytëzojnë atë 10 minutës për atë ligj, por nuk flasin për atë ligj. Dalin dhe flasin regjimi Rama etj. Mazhoranca përgjithësisht kapet te tema. Por si moment votimi është e njëjta gjë. Ajo situatë nuk ishte normale, por votimi është ligjitim, po e ritheksoj sërish. Përderisa aksioni i opozitës është fizik përgjigjja do jetë institucionale. Ne do bëjmë çdo përpjekje që vendi të mos përfshihet në përplasje politike, që ka brenda edhe konfliktin fizik.

Kjo është epidemia e opozitës në Kuvend. Nuk, mund të ecim që deputeti të bëjë çfarë të dojë dhe të mos përgjigjet. Nuk i ngremë komisionet hetimore, pasi do krijojë ngërç në Parlament. Kjo është një përpjekje për të larë hesapet, për opozitën flas.”, u shpreh Koçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb