Klaus Gjasula kthehet përsëri këtë edicion në Bundesligë, një kampionat të cliin e provoi në vitin 2019 me fanellën e Paderborn, ku vendosi një rekord të pazakontë për futbollin gjerman.
Futbollisti i Kombëtares shqiptare i cili asokohe mbante edhe kokoren e famshme, vendosi atë edicion rekordin në Bundesligë, duke u bërë me 17 kartonë të verdhë lojtari më i ndëshkuar në një sezon të vetëm në historinë e turneut. Një rekord të cilin Gjasula ka pranuar me shumë humor në një intervistë për “Kicker” se nuk ka si qëllim ta përmirësojë me Darmshtad.

“Pa diskutim nuk ishte një objektiv. Nuk ankohem rreth tij. Nuk jam një qengj i pafajshëm dhe kam kontribuar vetë për një pjesë të madhe të tij. Është njerëzore që një faull nga unë merr më shumë vëmendje sesa një faull i ngjashëm nga një futbollist tjetër. Por unë do të uroja që gjyqtarët të ishin sa më objektivë që të jetë e mundur. Do të dëshiroja që çdo lojtar ta fillonte sezonin nga zero në këtë aspekt”, tha Gjasula.

Lojtari ia doli të kthehet në Bundesligë me Darmshtad, duke fituar një duel të ethshëm me ish-klubin e tij, Hamburg, ku ai kaloi një sezon jo shumë të suksesshëm. “Nuk më kënaq aspak që u ngjitën. Mund ta përshkruaj në mënyrë ,korrekte vitin tim te Hamburgu. Nuk është se më nxorën jashtë dhe as ma bënë me të padrejtë. Unë bëra një sezon m*** dhe në një klub si Hamburgu gjërat janë kështu; nëse nuk ia del me të parën, rrallëherë ke një shans të dytë. Te Darmshtad të mbështetin më shumë dhe kjo qetësi, siç shihet nuk të dëmton”, pranoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: