Aktivistë dhe qytetarë kanë protestuar këtë të mërkurë në Tiranë, në kohën kur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndodhet në kryeqytet për takimin me kryeministrin Edi Rama.
Forcat e Policisë nuk kanë lejuar protestuesit të afrohen pranë Kryeministrisë, ndërsa mes efektivëve dhe qytetarëve ka pasur momente tensioni.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj, e pranishme në protestë, kritikoi kufizimin e protestuesve nga Policia, ndërsa deklaroi se mesazhi i tyre për presidenten e Komisionit Europian është që Bashkimi Europian të mos mbështesë, sipas saj, drejtues autokratë.
“Rama nuk na përfaqëson. Kemi 122 ditë në protestë që themi se Rama dhe qeveria nuk na përfaqësojnë. Në BE vetëm nëse largojmë autokratët. Jemi këtu për t’i thënë Von der Leyen se nuk duhet të mbështesë autokratët”, deklaroi Vatnikaj.
Duke iu referuar pranisë së shtuar të forcave të rendit dhe pengimit të protestuesve për t’u afruar pranë godinës së Kryeministrisë, ajo e krahasoi situatën me një burg.
“Po e kthejnë Shqipërinë në 313”, u shpreh aktivistja, duke iu referuar burgut të Tiranës.
