Roma e nis aventurën e saj në Champions League me një pikë, pas barazimit 1-1 në transfertë ndaj Fenerbahçes. Verdhekuqtë zhvilluan një pjesë të parë të kontrolluar dhe kaluan në avantazh në minutën e 39-të, kur Bryan Cristante realizoi me një goditje të bukur nga jashtë zone, pas asistimit të Malen.
Fenerbahçe reagoi menjëherë pas pushimit dhe barazoi në minutën e 48-të me Archie Brown, i cili mposhti Svilarin me një goditje me parabël. Vendasit patën mundësi edhe për përmbysjen, por portieri i Romës ishte vendimtar në disa raste, duke ruajtur baraspeshën deri në fund.Kështu të dyjs skuadrat ndajnë nga një pike, pas një 90 minutëshi të zjarrtë në Stamboll:
Trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, e vlerësoi pozitivisht paraqitjen e skuadrës.
“Bëmë një ndeshje të mirë. Nuk ishte e lehtë, për shkak të kundërshtarit dhe atmosferës në stadium. Ata u mbyllën shumë dhe ishin të rrezikshëm në kundërsulm. Megjithatë, zhvilluam një ndeshje të mirë dhe ky barazim na shërben për objektivat tanë”, u shpreh Gasperini.
Por pas ndeshjes, vëmendjen e mori situata e pazakontë te Fenerbahçe. Trajneri İsmail Kartal njoftoi në mënyrë të papritur dorëheqjen e tij në konferencën për shtyp, duke thënë se vendimi ishte marrë për të ndihmuar klubin dhe lojtarët.
Megjithatë, presidenti i Fenerbahçes, Aziz Yildirim, deklaroi se klubi nuk ishte në dijeni të këtij vendimi dhe se Kartal mbetet trajner i skuadrës. Ai shpjegoi gjithashtu se tekniku ishte i tronditur pasi gjatë ndeshjes ishte goditur me një shishe nga tribunat.
Klubi turk konfirmoi më pas se personi përgjegjës ishte identifikuar dhe ndaj tij ishte vendosur ndalimi i hyrjes në aktivitetet sportive. Për momentin, pavarësisht deklaratës së dorëheqjes, İsmail Kartal vijon të konsiderohet trajneri i Fenerbahçes.
