Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, bën pjesë në grupin brenda Partisë Demokratike që kanë kërkuar largimin e zotit Lulzim Basha nga drejtimi i partisë, e të zhvillohen zgjedhje.

I ftuar në emisionin “Real Story”, në “News 24”, ai tha se nuk ka asgjë personale me askënd, por thjesht është i merakosur për të ardhmen e Partisë Demokratike.

Nishani theksoi se është i mendimit që Rama i ka manipuluar zgjedhjet, e kjo sipas tij nuk ka vend për diskutim, por debati sipas tij duhet të zhvendoset se çfarë formule duhet ndjekur për ta larguar atë nga drejtimi i vendit.

“Në gjykimin tim e keqja e këtij vendi s’është PD, është qeverisja tetë vjeçare që kemi pasur deri sot. Ajo është prodhuese e krizës së besimit, nuk është PD. Nuk diskutoj faktin, e prandaj them që Shqipëria duhet të ndryshojë, mekanizma për të ndryshuar është opozita dhe PD është forca reale. Shifrat nuk janë ato që thoni, PD ka më pak vota se në 2009. Për mua rëndësi ka fakti që PD në shtator do të kthehet 2 vite e gjysmë pas, me të njëjtat shifra, me të njëjtën perceptim. Ne kthehemi në shtatorin e 2021, në shkurt të 2019-ës.

Nëse sot kemi zero bashki të fituara, nëse fitojmë 5 themi ka rritje. Ne nuk arritëm të çojmë shumicën e nevojshme të shqiptarëve për të arritur ndryshimin. Ne nuk e krijuam besimin që të vinte një dallgë e madhe. Edi Rama ka blerë vota pa fund, s’e diskutoj unë, këto janë prova evidente. Edi Rama nuk e ndryshon stilin e tij, nuk e korrigjojmë dot politikisht atë, ne duam të gjejmë formulën për ta rrëzuar, ky është synimi im. PD pak nga pak do të rrudhet më tej e do të kthehet në opozitë formale e nuk do të kemi alternativë qeverisje”, tha Nishani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: