Një grua që pretendon se ka qenë viktimë e abuzimeve të financierit Jeffrey Epstein ka akuzuar Pallatin Buckingham se ka mbrojtur në mënyrë sistematike Princin Andrew, pavarësisht informacioneve që sipas saj tregonin se ai mund të përballej me hetime penale.

Jess Michaels deklaroi për gazetën britanike Telegraph se Pallati kishte marrë prej vitesh prova që lidhen me rrjedhje të mundshme informacioni konfidencial, por nuk kishte ndërmarrë veprime. Sipas saj, institucioni ishte në dijeni të situatës dhe zgjodhi ta mbante të fshehtë.

“Gjashtë vjet më parë, Pallati e dinte se Andrew nuk ishte vetëm një problem, por se ai mund të përballej me një hetim penal. Dhe e fshehën këtë”, citohet të ketë thënë Michaels.

Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si institucionet trajtojnë akuzat ndaj figurave të fuqishme, duke argumentuar se viktimat shpesh mbeten pa mbështetje dhe drejtësi. Michaels iu referua edhe pretendimeve të Virginia Giuffre, e cila prej vitesh ka akuzuar Princin Andrew për shfrytëzim seksual, duke thënë se mosveprimi i autoriteteve kishte pasoja të rënda morale.

Ndërkohë, çështja e marrëdhënieve të Princit Andrew me Jeffrey Epstein vazhdon të tërheqë vëmendje në Britaninë e Madhe. Sipas dokumenteve të përmendura në raportime mediatike, Pallati Buckingham mori rreth 30 mijë email-e në vitin 2020, disa prej të cilave lidhen me komunikime ku përfshihej Andrew.

Zbulimet e fundit kanë shtuar presionin ndaj Pallatit për të sqaruar se çfarë dinte dhe kur ishte vënë në dijeni për informacionet në fjalë.

Në të njëjtën kohë, deputetja laburiste Rachel Maskell ka kërkuar një hetim publik, duke argumentuar se sistemi i ngritur rreth Pallatit duhet të rishikohet për të garantuar llogaridhënie dhe transparencë.

Pallati Buckingham ka refuzuar të komentojë mbi akuzat, duke deklaruar se nuk mund të japë detaje përderisa një hetim policor është ende në zhvillim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb