TIRANE – Dashuria e shkuar është bërë shkak për ndalimin e një dasme në Kodër-Kamëz. Policia e kryeqytetit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 26-vjeçarin D.L., banues në Lezhë, pasi prej pak kohësh nuk lejon një vajzë që të martohet me një person tjetër. Uniformat blu të Komisariatit të Kamzës sqarojnë se bëhet fjalë për vajzën me inicialet E.H., 27 vjeçe, e cila para disa kohësh ka pasur një lidhje me 26-vjeçarin. Më pas dy të rinjtë janë ndarë dhe 27-vjeçarja ka krijuar një lidhje tjetër, të cilën ka dashur ta kurorëzojë në martesë. Por, 26-vjeçari nuk ka dashur që ta lejojë ish-të dashurën e tij që të krijojë një martesë me një person tjetër. Për këtë arsye, ai e ka shqetësuar në telefon duke i thënë se nuk do ta lejonte që të martohej me person tjetër. Kjo ka qenë edhe arsyeja se përse vajza ka shkuar dhe ka bërë denoncim pranë forcave të policisë të Kamzës, të cilët kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 26-vjeçarin. “Më datë 13.08.2015, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin D.L., vjeç 26, banues në Lezhë, pasi dyshohet se pengon të lidhë martesë me një person tjetër shtetasen E.H., vjeç 27, banues në Kodër Kamzë”, thuhet në njoftimin e policisë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb