SHIJAK- Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për të hetuar në kushtet e arrestit të shtëpisë 19-vjeçaren Elda Tanushi, e cila tentoi të helmonte vjehrrën, ka irrituar familjen Stafa.

Kryefamiljari, i cili akuzohet nga nusja për përdhunim, shprehet i indinjuar për lirimin e saj. Ai e cilëson si një mosmirënjohëse 19-vjeçaren, të cilën thotë se e trajtoi si vajzën që nuk pati kurrë.

Eduart Stafa tregon se është gati të përballet me analizat shkencore për të vërtetuar se nuk ka asgjë të vërtetë në akuzat e 19-vjeçares.

“Nëse unë kam dashur ta përdhunoj, ashtu siç thotë ajo, helmin nuk duhet t’ia hidhte vjehrrës, por mua. Për këtë unë jam i gatshëm të shkojmë të bëjmë analizat. Në rast se ajo që thotë ajo, burgun e saj dhe burgun tim, do t’i bëj unë, dhe jetën ia kam falur shtetit. Ndaj dua të bëhet drejtësi. Shteti të mos i ndahet kësaj akuze që më ka bërë ajo mua, por të dalë e vërteta në bazë të analizave. Unë atë nuk e kam mbajtur si nusen e djalit, por si vajzë e kaluar vajzën. Ne nuk kemi patur probleme. Më dukej vajzë e mirë. Unë i kam falur dy fakte asaj, këtë të fundit nuk mund t’ia falja, pasi ishte duke na shfarosur krejt si familje”, thotë Eduard Stafa, vjehrri i Elda Tanushit.

Pasi u mbajt për disa ditë në paraburgim gjykata vendosi arrest shtëpie për 19-vjeçaren Elda Tanushi, e cila tentoi të helmojë vjehrrën e saj Arjana Stafa, me të cilën kishte mosmarrëveshje.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb