Termi Bridezilla, që përdoret për të përshkruar një nuse tepër kërkuese ose tiranike gjatë organizimit të dasmës, po bëhet gjithnjë e më i përhapur në internet. Së fundmi, një histori e ndarë në platformën Reddit ka tërhequr vëmendjen e përdoruesve dhe ka hapur debat për kufijtë e kërkesave që një nuse mund t’u bëjë shoqërueseve të saj. Historia u publikua nga motra e një nuseje të ardhshme, e cila tregoi se fillimisht ishte shumë e lumtur për lajmin e martesës së motrës dhe e konsideronte dhëndrin “një person shumë të mirë”. Megjithatë, situata ndryshoi kur nusja filloi të vendoste rregulla për pamjen e shoqërueseve të saj.

Sipas saj, disa nga kërkesat ishin të kuptueshme, si për shembull që shoqërueset të vishnin mëngë të gjata nëse kishin tatuazhe. Por një rregull i veçantë i duket i pazakontë: të gjitha gratë duhet të kishin flokë të paktën tre centimetra më të shkurtër se nusja. Flokët e nuses i arrijnë deri në bel, çka e bën të vështirë që dikush tjetër të ketë flokë më të gjatë se ajo. Përjashtim bënte vetëm motra e saj, flokët e së cilës i arrinin deri në gjunjë dhe të cilat ajo i përshkroi si “një pjesë shumë të rëndësishme të identitetit tim”.

Ajo tregoi se motra e saj u zemërua kur i tha se nuk kishte ndërmend t’i priste flokët, megjithëse ofroi një kompromis duke i mbajtur të kapura gjatë ceremonisë. Nusja, megjithatë, nuk e pranoi këtë zgjidhje, duke argumentuar se nuk donte që të tjerët t’i kishin flokët e lëshuara ndërsa ajo do t’i mbante të kapura.

Situata u tensionua edhe më shumë kur motra sugjeroi që të merrte pjesë vetëm në ceremoninë e martesës dhe jo në pritjen e dasmës. Sipas rrëfimit, nusja reagoi me zemërim, ndërsa edhe dhëndri i ardhshëm ndërhyri duke u përpjekur ta bindte atë të priste flokët. Megjithatë, ajo refuzoi, duke thënë se nuk e konsideronte të drejtë të priste flokët që i kishte rritur për vite me radhë vetëm për një natë. Në fund, ajo vendosi të mos ishte shoqëruese e nuses dhe të merrte pjesë në dasmë vetëm si e ftuar.

Rasti ka ndezur diskutime në rrjet për kufirin mes rregullave të zakonshme që vendosin nuset për ceremoninë e tyre dhe kërkesave që mund të konsiderohen të tepruara. Organizatorë eventesh dhe përdorues të shumtë të rrjeteve sociale theksojnë se thelbi i një dasme është të ndahet momenti me njerëzit më të rëndësishëm në jetën e çiftit. “Mos harroni se rëndësia e një dasme është ta ndani atë me njerëzit që kanë më shumë rëndësi për ju. Nëse kriteri kryesor për zgjedhjen e shoqërueseve është vetëm pamja, ndaloni për një moment dhe mendoni para se ta bëni,” u shpreh një organizator eventesh në komentet e diskutimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: