TIRANE- Dëftesat e nxënësve të arsimit parauniversitar që kanë përfunduar vitin akademik 2016-2017, duhet të ishin shpërndarë brenda muajit qershor, por kjo nuk u realizua. Shkak për këtë situatë të krijuar është bërë pezullimi i procesit të tenderimit për realizimin e tyre.

Këshilltari i ministres së Arsimit, Ndriçim Mehmeti, thotë se procedura për tenderimin ka filluar shumë vonë, ndonëse ndalet edhe tek problematikat e lindur në këtë institucion.

Ndonëse nxënësit dhe mësuesit janë në pritje, Mehmeti se dëftesa nuk ka.

“Ngërçi ka të bëjë me arsyen se është pezulluar tenderi sipas një urdhri në 19 maj për prokurimin e dëftesave dhe regjistrave. Agjencia e Prokurimit Publik ka parë që mund të ketë shkelje të rregullave, dhe për këtë kanë marrë parasysh vërejtët e subjekteve. Por duhet të pranojnë se edhe procedura ka filluar shumë vonë, në 7 prill. Nevojiten 8.6 mln leke për dëftesat dhe regjistrat. Në maj dëftesat duhet të ishin gati dhe të shpërndaheshin. Sikur nesër të shtypen ato duan kohën e saj fizike, të plotësohen dhe të shpërndahen nga mësuesit. Mësuesit nga e hëna marrin lejen deri më 22 gusht, 45 ditë. Mund të jetë për arsye objektive apo subjektive, por dëftesa në shkolla nuk ka. Nuk dihet se kur do të jenë gati për t’u shpërndarë”, shprehet Mehmeti.

Sakaq, ai ka komentuar edhe situatën e krijuar në administratën e Ministrisë së Arsimit, ku punonjësit kanë patur probleme me pagat. Ndriçim Mehmeti thotë se nëse nuk reflektohet për situatën e krijuar, ata do t’i drejtohen gjykatës.

“Punonjësit e administratës civile i morën parat, dhe nuk e di artificën ligjore, pasi kabineti i ministres me përjashtim të ministres nuk ka paga. Jemi konsideruar si njerëz që nuk meritojmë të marrim page, jemi në kushtet e diskriminimit të plotë. Në rast se nuk reflektohet në një kohe të shkurtër, i vetmi qe e rregullon është gjykata. Kemi punuar pa zyra dhe kompjuterë, janë bllokuar 3 zyra se nuk gjendjen ish-këshilltarët dhe nuk kanë dorëzuar çelësat dhe detyrat”, tha këshilltari në Ministrinë e Arsimit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb