Komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) të Serbisë, Igor Zhmiric, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Parë Themelore në Beograd, në kuadër të hetimeve për dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave kundër qeverisë serbe.
Sipas raportimeve të medias serbe Nova.rs, Zhmiric është një nga pesë personat e arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar nga inspektorët e Sektorit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Përveç komandantit të forcave speciale antiterroriste, në pranga kanë përfunduar edhe katër pjesëtarë aktualë dhe ish-pjesëtarë të Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve (JZO).
Arrestimet dyshohet se lidhen me ndërhyrjet e dhunshme të policisë gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit 2025, në bulevardin “Kralja Aleksandra”, pranë Fakultetit Juridik në Beograd, ku studentët kishin organizuar protesta.
Gjatë këtyre ndërhyrjeve, disa studentë mbetën të lënduar, ndërsa të tjerë u shoqëruan në komisariatet e policisë. Në një prej episodeve, forcat e rendit hynë edhe në ambientet e Fakultetit Juridik, një veprim që ngriti shqetësime për cenimin e autonomisë universitare.
