Afrimi i Taulant Seferit nuk pritet të jetë i fundit, Tirana mbetet në merkato në kërkim të elementëve të tjerë cilësorë për të përforcuar edhe më shumë grupin që ka në dispozicion trajneri Dede. Menaxheri i Tiranës, Enton Spahiu, shprehet se vijojnë negociatat me disa lojtarë por pa u ndalur në emra kontratë. Fakt është që Tirana mbetet aktive si në merkaton në hyrje ashtu edhe në dalje, ku emri më i lakuar mbetet Ernest Muçi:

“Kemi pasur negociata me sulmuesin bullgar, por edhe me sulmues të tjerë. Për etikë, negociatat nuk tregohen pa u bërë gjërat publike deri në fund. Për momentin nuk mund të japim një njoftim tjetër. Jemi në negociata me disa lojtarë, me disa opsione që i janë paraqitur stafit teknik dhe drejtuesve. Të shohim se si do të jetë procedura në vazhdim. Nuk mund ta themi me 100% që po kërkojmë vetëm për një sulmues. Drejtuesit janë gjithmonë në kërkim të alternativave që mund të ndihmojnë ekipin dhe mund të forcojnë organikën tonë. Në fund do të merren vendimet me pëlqimet e stafit teknik.
Muçi? Nuk na shqetëson zhurma, është kampion dhe është i qetë, është i fokusuar çdo ditë në stërvitje dhe është i gatshëm që në çdo minutë të japë më të mirën për Tiranën. Ofertat nuk komentohen, janë pjesë e negociatave, por nuk është sekret që oferta dhe interesim për Muçin ka jashtëzakonisht shumë“, deklaroi menaxheri i klubit bardheblu.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: