TIRANE-Një nga oficerët e grupit të parë të RENEA-s, që u fut dje në Lazarat, rrëfeu për gazetën “Panorama” çastet kur kolegët e tij ranë në pritë të armatosur. Në kushtet e anonimatit, oficeri tregoi se furgoni “Volkswagen”, ku gjendeshin gjashtë efektivë të RENEA-s, u qëllua nga një distancë prej 20 metrash.

Sipas tij, në momentin e sulmit furgoni po kalonte në një vend që vetëm pak çaste më parë kishin kaluar dy autoblinda të Policisë. Bazuar në informacione policore, oficeri hodhi dyshime se grupi i armatosur është përpjekur të krijojë alibi të një sulmi nga Policia, duke shembur qëllimisht avllinë e një shtëpie në Lazarat. Por, sipas tij, i riu Xhuliano Mato i ndaluar nga Policia në një automjet ku u gjetën armë dhe municion, mund të jetë përdorur si “karrem” nga grupi i armatosur për të larguar vëmendjen e Policisë.

Përse është nevojitur prania e forcave RENEA mëngjesin e së mërkurës në Lazarat?
Pas mesnatës të së martës dhe deri në orët e mëngjesit të së mërkurës, në Lazarat ka pasur të shtëna me armë. Të shtënat janë konstatuar nga efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) të planizuar me shërbim pranë vendit të quajtur “Kazinoja”, mbi ish¬Pularinë dhe nga një tjetër patrullë në zonën e Kordhocës. Organet e Policisë kanë pasur informacion në rrugë operative se janë disa persona, që lëviznin të armatosur dhe të maskuar në rrugën e fshatit. Një ndër këta persona dyshohet se ka qenë edhe Xhuliano Malo, i riu i ndaluar nga Policia në mëngjes, në automjetin e të cilit u gjetën armë dhe municione. Pas sigurimit të këtyre informacioneve, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër është kërkuar nga Drejtoria e Forcave të Lëvizjes Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit edhe mbështetja nga reparti RENEA. “Kërkesa për ndihmë” është miratuar dhe në orët e mëngjesit dy autoblindë dhe dy furgonë të RENEA-s të nisur nga Tirana kanë mbërritur në hyrje të Lazaratit. Në çfarë vendi ishin efektivët e RENEA-s kur u shënjestruan nga armët e zjarrit të grupit të armatosur? Pasi kanë devijuar nga rruga kryesore, dy blindat e RENEA¬s kanë mbërritur deri në zonën e njohur si “Kazinoja”, ose ish¬pularia. Dy blindat ndiqeshin nga një furgon me efektivë të RENEA¬ s. Në furgonin “Volkswagen” ndodheshin gjashtë oficerë policie. Në sediljen e parë të pasagjerit ka qenë i uluar efektivi Ibrahim Basha dhe një efektiv tjetër. Në sediljen e dytë kanë qenë tre efektivë, mes të cilëve Jetmir Isai dhe Perlat Hamiti.

Çfarë ndodhi më tej?
Automjeti tip furgon “Volkswagen” ka qenë pranë ish¬pularisë kur u qëllua drejt tij. Mjeti ka qenë në një vend ku më parë kishin kaluar dy autoblindat. Drejt këtij mjeti është hapur zjarr nga një distancë shumë e afërt, mendohet jo më shumë se 20 metra. Drejtim i qitjes ka qenë nga përpara. Një plumb i shkrehur nga një armë, që dyshohet të jetë snajper, ka kapur efektivin Ibrahim Basha në ballë, në lartësinë e vetullave. Nga goditja, trupi i tij është mënjanuar duke i rënë drejtuesit të mjetit në prehër. Plumbi që i mori jetën efektivit Basha ka qenë tejshpues. I njëjti ka goditur në shpatull efektivin Jetmir Isai dhe dyshohet se më pas ka prekur tangjent në kokë efektivin Perlat Hamiti, i cili mbeti i plagosur. Në këtë moment ata kanë zbritur nga furgoni dhe kanë marrë pozicion luftimi, barkas shtrirë dhe kanë njoftuar për situatën.

A kishte prezencë të efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Lazarat kohët e fundit?
Që nga operacioni i vjetshëm antikanabis në Lazarat dhe në rrethinat e tij ka pasur patrullime të përhershme të Policisë. Ditët e fundit, për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve lokale dhe për të mos krijuar idenë se Policia po ushtronte presion mbi popullatën, prezenca e Policisë ishte zvogëluar paksa. Forcat e Policisë ishin vendosur pak më në dalje të fshatit.
A ka pasur informacion të mëparshëm për grupin e armatosur, që ka hapur zjarr drejt Policisë?
Dyshohet se ky grup ka kohë që është formuar dhe armatosur. Ende nuk dihet si i kanë futur armët dhe municionin në fshat. Më përpara Policia ka siguruar edhe një informacion për një avlli shtëpie që ishte shembur në një nga banesat e fshatit. Me çfarë qëllimi është bërë kjo? Avllia është shembur me një mjet të tonazhit të rëndë, tip “Saurrel” nga personat e dyshuar si pjesëtarë të grupit të armatosur gjatë kohës që kishte të shtëna në fshat, mbase për të krijuar alibi se ishte bërë nga ndërhyrja e Policisë. Po ashtu ka dyshime se edhe 17¬vjeçari i ndaluar në një mjet tip “Benz”, ku u gjetën armë dhe municione, të jetë lënë qëllimisht nga pjesëtarët e tjetër të grupit të armatosur, për të hequr vëmendjen e Policisë dhe për t’i krijuar vetës mundësi arratie.

A kanë qenë të veshur me pajimet e nevojshme mbrojtëse oficerët e RENEA-s?
Po, oficerët kanë qenë të veshur me të gjitha pajimet mbrojtëse, me jelekë antiplumb dhe kaska në kokë. Pajimet nuk mundën t’i shpëtojnë jetën oficerit Basha, për shkak se ai u qëllua në pjesën e ballit, pjesë që nuk mbulohet nga kaska.

(a.n/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: