Pandemia e COVID-19 dhe pasojat ekonomike të saj mund të shtyjnë në varfëri ekstreme deri në 100 milionë persona këtë vit, duke zvogëluar kështu perspektivat për t’i dhënë fund asaj deri në vitin 2030, paralajmëruan sot Kombet e Bashkuara.

“Edhe me rritjen e përshpejtuar ekonomike dhe zvogëlimin e pabarazisë, çrrënjosja e plotë e varfërisë ekstreme duket shumë e vështirë, edhe nën supozimet më optimiste”, sipas një përmbledhjeje të politikave të reja nga Departamenti i KB-së për Çeshtjet Ekonomike dhe Sociale (UNDESA).

“Me përhapjen e pandemisë nëpër vendet në zhvillim, perspektiva duket gati utopike”, theksoi UNDESA.

Në skenarin më pesimist, UNDESA vlerëson se më shumë se 1,1 miliardë persona, ose 13 % e popullsisë botërore, mund të përfundojnë jashtëzakonisht të varfër deri në fund të dekadës.

Sipas saj, edhe në skenarin më optimist, me një rritje të paparë, gati 3 % e popullsisë botërore do të mbetej në varfëri.

UNDESA bëri thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zhvillimit.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb