Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi sot rezolutën që i kërkon Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i japin fund embargos ekonomike, tregtare dhe financiare ndaj Kubës, e cila është në fuqi që prej vitit 1960, sipas “Reuters”.
Rezoluta u miratua me 130 vota pro, 17 kundër dhe 25 abstenime. Mes vendeve që votuan kundër ishin SHBA-ja dhe Izraeli.
Megjithatë, numri i vendeve që mbështetën rezolutën ishte më i ulët se vitin e kaluar, kur ajo mori 165 vota pro, shtatë kundër dhe 12 abstenime.
Për herë të parë pas shumë vitesh, Gjermania dhe Italia, së bashku me disa vende të tjera perëndimore, abstenuan nga votimi.
Votimi u zhvillua në një kohë kur administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka rritur presionin ekonomik dhe diplomatik ndaj Kubës.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, Uashingtoni u përpoq të bindte vendet anëtare të OKB-së të mos e mbështesnin rezolutën, duke argumentuar se vështirësitë ekonomike të Kubës lidhen kryesisht me politikat e qeverisë së saj.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, tha pas votimit se ishte i kënaqur që disa vende, përfshirë ekonomi të mëdha si Gjermania dhe Koreja e Jugut, kishin ndryshuar qëndrim.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez, kritikoi presionin amerikan, duke e akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të vazhdojë të rëndojë jetën e popullsisë kubane.
Embargoja amerikane ndaj Kubës u vendos për herë të parë në vitin 1960, pas revolucionit të udhëhequr nga Fidel Castro, i cili përmbysi regjimin e Fulgencio Batistës dhe pasoi me shtetëzimin e pronave që u përkisnin shtetasve dhe kompanive amerikane.
Gjatë dekadave, kufizimet ekonomike dhe financiare kanë penguar marrëdhëniet tregtare të Kubës me SHBA-në.
Qeveria kubane ia atribuon embargos një pjesë të madhe të krizës ekonomike, ndërsa Uashingtoni fajëson politikat e brendshme të autoriteteve kubane.
Situata është përkeqësuar më tej nga kufizimet e reja të administratës Trump, përfshirë presionin ndaj furnizimeve me naftë.
Kjo ka kontribuar në mungesat e karburantit dhe ndërprerjet e energjisë elektrike, duke prekur shërbimet bazë, furnizimin me ujë dhe komunikimet.
Autoritetet kubane kanë paralajmëruar gjithashtu për mungesa të barnave, ushqimeve dhe produkteve të tjera të domosdoshme.
Pavarësisht votimit, embargoja amerikane nuk është shfuqizuar.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për këtë çështje nuk janë ligjërisht detyruese për SHBA-në, por shprehin qëndrimin e shumicës së vendeve anëtare.
OKB-ja ka miratuar rezoluta të ngjashme çdo vit që prej vitit 1992, me përjashtim të vitit 2020, kur votimi nuk u zhvillua për shkak të pandemisë së COVID-19.
