Në zonën e Krujës është duke u zhvilluar një operacion masiv për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në terren dhe në ambientet e mbylluara.
Sipas njoftimit zyrtar deri më tani janë asgjësuar sasi të konisderueshme fidanësh dhe bimësh narkotike kanabis.
Po ashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Krujë/Operacion masiv në terren dhe në ambiente të mbyllura për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike.
Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, qindra efektivë të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, po kryejnë kontrolle në shkallë të gjerë në territorin e rrethit Krujë, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni, ku po përdoren edhe dronë të cilësisë së lartë, është shtrirë në territorin e fshatrave të njësisë administrative Cudhi dhe do të vazhdojë në ditët në vijim në territorin e fshatrave të njësive të tjera administrative të rrethit Krujë.
Gjatë operacionit janë evidentuar dhe asgjësuar me anë të djegies një numër i konsiderueshëm fidanësh dhe bimësh narkotike cannabis.
Gjithashtu, gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë intensifikuar punën edhe për kontrollin e ambienteve të mbyllura, ku dyshohet se mund të kultivohet bimë narkotike duke përdorur llamba. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me OSHEE-në, po punojnë për të evidentuar zonat me risk ku mund të kultivohet cannabis.
Ndërkohë, grupet e posaçme hetimore po kryejnë veprime hetimore në terren, nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë banorët e zonave të njësive administrative të rrethit Krujë që të mos tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, pasi është e vendosur të godasë çdo rast të tentativës për kultivim dhe të çojë para drejtësisë të gjithë personat që merren me këtë veprimtari kriminale.
