TIRANË

Policia e Tiranës ka zbardhur grabitjen e çiftit Petrit e Afërdita Laze në Allias, ngjarje e ndodhur më 19 janar në mbrëmje, ky burrë e grua u plagosën me armë zjarri.
Një nga autorët e ngjarjes është arrestuar, ndërsa është shpallur në kërkim autori tjetër, të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes. Operacionit i është vendosur emri i koduar “Mjegulla” nisur nga fakti se natën e ngjarjes Tirana ka qenë e mbuluar nga mjegulla.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 19.01.2020, rreth orës 21:35, në rrugën “Njazi Meka” Allias, në banesën e shtetasit Petrit Laze, ku dy shtetas të maskuar tentuan të vidhnin me armë sende me vlerë dhe për pasojë mbetën të plagosur rëndë të zotët e banesës, çifti Petrit Laze dhe Afërdita Laze, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Petrit E Aferdita Laze
Petrit E Aferdita Laze

Si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje, punës profesionale operative dhe hetimore, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur sigurimi i informacioneve dhe provave, të cilat çuan në zbardhjen dhe dokumentimin me prova shkencore të kësaj ngjarjeje.

Bazuar mbi provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Komisariatin e Policisë Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, bëri të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor “Mjegulla”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Fatjon Mërtënika, 28 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit Markeljan Cungu, si bashkautor në këtë ngjarje, person me precedent kriminal, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur të gjejnë të fshehura rreth një kilometër larg banesës që tentuan të vidhnin, dy armët e zjarrit, konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë, që dyshohet se i kanë përdorur autorët mbrëmjen e datës 19 janar 2020.

Gjithashtu, së bashku me armët e zjarrit, Policia gjeti të fshehura një maskë, municion luftarak, fasheta plastike e sende të tjera. Vijon puna për kapjen e bashkautorit, i cili gjatë operacionit nuk është gjetur në banesë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, me pasoje plagosjen e rendë të dy shtetasve dhe “Armëmbajtja pa leje”, të cilat parashikojnë dënimin deri në 15 vite burgim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb