TIRANË

Deputetja e LSI-së Erisa Xhixho tha se opozita e pas 25 korrikut do ketë një dimension totalisht tjetër.

Xhixho foli në “Frontline” në News24 për Konventën e 25 korrikut të kësaj force dhe theksoi se kthimi i Metës në LSI pritet me shumë entuziazëm.

“Me entuziazëm patjetër. Besoj se z. Meta do e thotë vetë se çfarë vizioni vjen. Është një faktor i vyer për opozitën. Ardhja e z. Meta në LSI padyshim që pritet me shumë entuziazëm. Mendoj që opozita e pas 25 korrikut do ketë një dimension totalisht tjetër dhe në qasje dhe në diskurs”, u shpreh Xhixho.

Sa i përket marrëdhënieve PS-LSI dhe nëse ka një kthesë, ajo tha se qëndrimet janë të njëjtat, duke folur dhe për ftesën në 31-vjetorin e PS-së.

“Kjo s’do të thotë asgjë në sensin e qëndrimeve që kemi për keqqeverisjen e të gjitha me radhë. Ne kemi bërë një betejë shumë të fortë, ia kemi thënë në sy. Pjesa tjetër e protokollove, e ftesave nuk besoj se zbehin qëndrimet që kemi për keqqeverisjen.

Akujt shkrijnë kur shihen reflektime, mendoj që për sa i përket qëndrimeve të LSI-së për këtë maxhorancë ka qenë shumë e qartë. Qëndrimet e LSI-së nuk kanë ndryshuar. Mendoj se vendit i shërben një opozitë e fortë dhe e vërtetë se të jesh pjesë e maxhorancës është shumë e thjeshtë. Mendoj që LSI-ja për procesin e Presidentit e ka shpallur qëndrimin e saj.

Procesi i Presidentit kërkonte të tërhiqte vëmendjen nga ky diskurs, çmimet, afera e inceneratorëve. Qëndrimi jonë u shpreh me votën kundër, nuk po flas për individin që u propozua. Qëndrimet e LSI-së kanë qenë shumë të vërteta”, deklaroi Xhixho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: