Eduard Halimi ka deklaruar se është pro protestave të opozitës, duke i parë si mënyrën që ajo ka për të reaguar.

Ish-ministri i Drejtësisë, i ftuar në “Kjo Javë” në News24, ka komentuar edhe situatën e krijuar në seancat e fundit parlamentare, të zhvilluara nën një klimë jo të qetë, duke pasur parasysh reagimet brenda në sallë dhe protestat e mbajtura nga opozita jashtë godinës.

Ai u shpreh se për sa kohë mazhoranca i mbyll opozitës të gjitha dritaret e komunikimit dhe sillet arrogante në mos plotësimin e kërkesave të ndaj ligjore, atëherë ajo që do të ndodhë është pikërisht krijimi i një situate të tillë, që mbase sipas tij nuk është më racionalja e mundshme, por që është e justifikuar për shkak të mënyrës se si kjo qeveri po trajton pakicën në Kuvend.

Pjesë nga diskutimi në studio:

Nisida Tufa: Jeni pro protestave? A është në rrugën e duhur opozita të bëjë një rotacion?

Eduard Halimi: Protesta është mjeti i padiskutueshëm i një opozite. Detyra e saj është t’ia vështirësojë jetën mazhorancës, kjo ndodh në çdo vend demokratik. Detyra e saj është të nxjerrë të palarat dhe të zbulojë çdo shkelje të qeverisë. Opozita është në rrugën e duhur për ta bërë një gjë të tillë.

Nisida Tufa: Seancat e fundit plenare kanë qenë të tensionuara dhe kaotike. Çfarë gjykimi keni për kaosin brenda e jashtë Parlamentit?

Eduard Halimi: Është detyrë e qeverisë dhe mazhorancës që t’i krijojë hapësirat opozitës për të ushtruar funksionet e veta. Nëse ia mbyll të gjitha dritaret opozitës, nëse i thua nuk bëj interpelancë se nuk dua, nëse i thua nuk ngre komision hetimor sepse nuk dua, se nuk të jap të drejtën e fjalës, nëse e çon opozitën në cep, do ndjekë rrugët e veta që mbase nuk janë shumë racionale siç është bllokimi. Duhet të matesh mirë kur e bllokon. Sado e fortë të jetë një mazhorancë duhet t’i lërë një dritare opozitës të informojë qytetarët, janë 650 mijë votues që kanë votuar Për atë grup parlamentar. Nëse i mbyll të gjitha dritaret, nëse e çon në cep të ringut tjetrit, dihet që pasojat do të jenë jo ato që shpreson ti si qeveri, por edhe shqiptarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb