Pas akuzave të Veliajt, në dëgjesën e sotme me artistët dhe arkitektët për Teatrin Kombëtar, se opozita nxit aktorët të bëjnë sherr gjatë diskutimit, ka reaguar Sindikata e Artistëve.

“Sot është publikuar një komunikim me mesazhe drejtuar avokates së nderuar Mirela Çela Jorgo, nga anëtarja e Kryesisë së Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) Taulanda Jupi, gjatë dëgjesës së thirrur nga z. Veliaj me artistë e arkitektë duke u interpretuar si “urdhëra që artistët marrin nga PD”, duke cituar z. Veliaj. Është raportuar dhe se Taulanda Jupi ka qenë koordinatore e çadrës së PD.

Nuk është hera e parë që zonja Jupi përgojohet nga media pranë pushtetit. Shpifje të ngjashme i janë drejtuar edhe anëtarëve të tjerë, Kastriot Çipi e Robert Budina, pas takimit të tyre me z. Basha. Shumë çuditërisht (ose aspak çuditërisht) këto media nuk e kanë akuzuar z. Çeloaliaj si anëtar të PS, pas takimit të tij me z. Veliaj, në të njëjtën tavolinë ku kolegët e tij kishin takuar më parë z. Basha.

Për sa më lart, SASE sqaron opinionin publik se:

Anëtarësia në një parti politike, nuk është kusht përjashtues për anëtarësinë e individit në një sindikatë. Megjithatë, asnjë nga anëtarët aktualë të Kryesisë, të zgjedhur me votim të fshehtë, në një proces transparent, më 27 mars 2018, nuk është anëtar i ndonjë partie politike.

I ftojmë të gjitha mediat të publikojnë çdo informacion konkret që ato mund të disponojnë ose zbulojnë në të ardhmen, mbi përkatësinë partiake të secilit prej 5 anëtarëve të kryesisë, që janë Alert Çeloaliaj, Robert Budina, Kastriot Çipi, Taulanda Jupi dhe Besmir Bitraku. Cilido prej tyre, që zbulohet se është anëtar i ndonjë partie, do të japë dorëheqjen menjëherë, për shkak se ka bërë deklarim të rremë para kolegëve.

I ftojmë të gjitha mediat që janë përfshirë në katër muajt e fundit në fushata shpifjesh për drejtuesit e SASE të heqin dorë nga përbaltja dhe sajesat, sepse kështu nuk do të arrijnë të delegjitimojnë kauzat e tyre, ndër të cilat, më kryesorja është mbrojtja e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.

E fundit, por jo për nga rëndësia, shpresojmë se të gjitha mediat që kanë përhapur shpifjen e rradhës të fabrikuar nga kabineti i z. Veliaj, do të jenë të ndershme duke cituar burimin e informacionit, ose duke kërkuar ndjesë për shpifjen, nëse pranojnë autorësinë e saj.

BalkanWeb

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: