Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka dhënë mendimin e tij për fitoren 4-1 ndaj Bylis.

“Fituam një ndeshje që e zgjidhëm shpejt. Kur shënon shpejtë edhe lojtarët janë të lirë. Mendoj se është shumë i rëndësishëm ekuilibri psikologjik dhe taktik. Dua që skuadra të sillet gjithmonë njësoj si me top edhe pa top.

E kam thënë që në fillim që ky kampionat është shumë i fortë, shumë i vështirë. Kur nuk bën mirë, shkëputesh. Si Vllaznia dhe Partizani janë me kualitet. Mos të harrojmë ndonjë skuadër tjetër pastaj që mund të ngjitet.

Qëndrimi te pankina? Pas ndeshjes isha shumë i kënaqur. Nuk është hera e parë që rri te pankina. Është një ritual që ndodh herë pas here. Kur loja shkon 3-0, aty është vështirësia më e madhe sepse duhet të mbash lojtarët e karikuar. Ka histori kur është kthyer rezultati. Duhet të jemi më të qartë. Duhet të jemi gjithmonë më kërkues ndaj skuadrës. Kjo ishte ajo që donim, të ishim vigjilentë.

Mesfusha? Ne jemi të kënaqur që kemi organikën tonë të plotësuar. Dua të përgëzoj Hilën që tregon mentalitet kampioni. Është stërvitur me intensitet dhe pasion. E ka merituar atë vend aty, atë besimin që kemi ne te ai. Ne nuk kemi pse të ndryshojmë modul loje. Do të hidhen në fushë ata që janë në formë për momentin. Kampionati është i gjatë, ndërhyrjet janë të domosdoshme. Kemi pasur një mësim nga Europa, kur nuk kishim mundësi të bënim rrotacion. Jemi të kënaqur që kemi 4-5 mesfushorë në skuadër. Jemi të kënaqur që i kemi.

Patrick? Është lojtar që kërkon përshtatje. Herë pas herë ndërron pozicionin me Xhixhën. Ka ndryshuar manovrën në sulm. Më vjen mirë që po përthith shpejt dhe shfaqet para porte. Gjithmonë duhet të përmirësohemi”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: