Dy prej qarqeve më problematike për kanabisin Shkodra dhe Vlora janë thirrur në një takim të përbashkët nga prezenca e OSBE në Shqipëri, takim ky që u zhvillua në Shkodër.


Drejtorja në detyrë e OSBE Katerine Kristesashvili u shpreh se institucionet vendore kanë patur mangësi të njohurive për të luftuar kultivimin e kanabisit ndërsa tha se duhet të kontribuojnë në zhdukjen e qëndrueshme të kanabisit.

E pranishme në takim, shefja në detyrë e Departamentit të Mirëqeverisjes në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore në Prezencën e OSBE-së, Ekaterine Kristesashvili, tha se që nga viti 2017, prezenca ka punuar bashkë me Ministrinë e Brendshme dhe task forcën, për të identifikuar faktorët që i shtyjnë fermerët dhe  komunitetet vendore në kultivimin e kanabisit: “Një ndër problemet e identifikuara, mes të tjerave, ishte edhe mungesa e ndërgjegjësimit të komunitetit dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në nivel vendor dhe komunitar”, tha ajo.

Gjatë vitit 2018, Prezenca punoi së bashku me task forcat vendore të Shkodrës dhe Vlorës, të udhëhequra nga prefektët përkatës, për të mbështetur zbatimin e planeve të tyre të veprimit sa i takon ndërgjegjësimit kundër kanabisi.  Prezenca mbështeti disa masa kyçe të identifikuara në këto plane veprimit, që kishin të bënin me takimet e komuniteteve vendore, aktivitete publike dhe konkurse në shkolla, në të cilat u përfshinë rreth 400 pjesëmarrës.

Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi tha se ka qenë mosbesuese ndaj policisë ndërsa u shpreh se pavarësisht rezultateve pozitive në 2018-ën ende ka probleme. I pranishëm në takim Drejtori i policisë Shkodër, Vehbi Bushati e quajti 2018-ën si rezultati më i mirë në 20 vite në luftën antikanabis.

Takimet e OSBE do vijojnë edhe në zona të tjera të qarkut Shkodër me qëllim arritjen e rezultateve në luftën antikanabis.

(BalkanWeb)