Grupi grek OTE njoftoi zyrtarisht se ka rënë dakord për të shitur Telekom Albania në vlerën e 50 milion eurove tek Albania Telecom Invest

“OTE ka ndërmarrë një marrëveshje për të shitur të gjithë aksionet e Telekom Sh.A (Telekom  Albania) kompanisë bullgare Albania Telecom Invest AD për një vlerë totale prej 50 Milion Euro. Albania Telecom Invest AD drejtohet nga Z. Spas Roussev, i cili zotëron shumicën e aksioneve të operatorit të telekomunikacionit Bullgar, Vivacom, dhe Z. Elvin Guri, Investitor Shqiptaro – Bullgar.” –thuhet në njoftimin zyrtar.

Dokumenti32

Presidenti dhe njëherazi Drejtori Ekzekutiv i OTE Z. Michael Tsamaz, theksoi se shitja e Telekom Albania përmbyll investimin e suksesshëm të grupit OTE në Shqipëri.

“Është një vendim strategjik i Grupit OTE i cili po ridimensionon prioritetet dhe planet afatgjata të zhvillimit, në mënyrë që të krijojë vlerë të shtuar për aksionerët dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm. Dua të falenderoj stafin manaxhues dhe të gjithë punonjësit e Telekom për arritjet e kompanisë deri më sot dhe për bashkëpunimin me Grupin OTE. Blerja e kompanisë nga një grup i fuqishëm investitorësh garanton rritjen e kompanisë dhe kushtet për fuqizimin e saj në tregun vendas”.- u shpreh Tsamaz.

Transaksioni i nënshtrohet kushteve të zakonshme, duke përfshirë miratimin nga autoritetet lokale kompetente dhe financimin, dhe pritet të përfundojë brenda gjysmës së parë të vitit 2019.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb