Gjykata e Posaçme ka shqyrtuar sot kallëzimin e djalit të ish-Kryministrit, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, kundrejt numrit dy të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Gjykata e Posaçme ka rrëzuar pretendimet e Shkëlzen Berishës për hetim të Taulant Ballës për akuzën e “nxjerrjes së akteve sekrete” dhe “shpërdorim të detyrwës”.

Shkëlzen Berisha i kërkoi Gjykatës së Posaçme të prishte vendimin e ish-Prokurorisë për Krimet e Rënda për mosfillim procedimi penal ndaj Ballës.

Çështja u shqyrtua nga Gjykata e Posaçme për shkak të statusit si deputet që mban Taulant Balla.

Kallëzimi, fillimisht është bërë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kjo e fundit ka shpallur në atë kohë moskompetencë, duke e kaluar në dorë të Gjykatës Penale të Tiranës. Kjo e fundit, duke qenë e paqartë në lidhje me kompetencën ia ka kaluar Gjykatës së Lartë, e ka vendosur përfundimisht mbi kompetencën. Supremja ka vendosur që çështja të merret nën shqyrtim përfundimisht nga Gjykata e Posaçme. Balla ngriti akuzat lidhur me provat e publikuara për çështjen “CEZ” nga komisioni hetimor se Shkëlzen Berisha ka shmangur taksat dhe se pasurinë e ka vendosur si sekser. Këto deklarata të Ballës janë konsideruar shpifje nga ana e Shkëlzen Berishës.

Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, shtetasi Shkëlzen Berisha ka paraqitur ne Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, kallëzimin penal për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe  “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”,  parashikuar nga nenet 248 dhe 295/a  të K.Penal.

Nga përmbajtja e kallëzimit rezulton se, kallëzuesi pretendon se me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 30/2016 është ngritur Komisioni hetimor me objekt “Për të hetuar dhe verifikuar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të Shtetit Shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe negocimi i marrëveshjes së shitjes së 76% të aksioneve, miratuar me ligjin nr. 10116, datë 23.04.2009…”, kryetar i të cilës është caktuar deputeti Taulant Balla.

Në mbledhjen e datës 15.02.2017, me cilësinë e drejtuesit të këtij komisioni, deputeti Taulant Balla me pretekstin e administrimit të dokumentacionit të nevojshëm për  realizimin e objektit të punës së komisionit hetimor që drejtonte, ka administruar në kundërshtim me ligjin edhe dokumentacionin sensitiv lidhur me transaksionet bankare të kallëzuesit, në lidhje me të ardhurat dhe shlyerjen e detyrimeve tatimore nga ana e kallëzuesit. Po ashtu në kundërshtim me ligjin ka keqpërdorur dokumentacionin e mësipërm duke e shpërndare publikisht në faqen e vet Facebook.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb